Pas triumfit ndaj Penzës, Prishtina e fiton Kupën e Kosovës në kategorinë e femrave

Ekipi basketbollistik i Prishtinës e ka fituar Kupën e Kosovës në kategorinë e femrave, pas triumfit ndaj Penzës (81-51).

Skuadra kryeqytetase ishte bindëse në fitoren e vet, të cilën e arriti me 30 pikë diferencë.

Vajzat e Prishtinës e nisën furishëm sfidën që nga çereku i parë dhe vazhduan deri në fund duke e ngritur epërsinë për të dalë fituese.

Kjo është hera e tretë radhazi që ato e fitojnë Kupën e Kosovës në kategorinë e femrave dhe i gëzohen këtij suksesi.

Ndërsa në total, Prishtina e ka fituar plot 11-të herë këtë kompeticion në kategorinë e femrave.

Irma Konjusha (21 pikë) dhe Ermelinda Shatri (16 pikë) ishin basketbollistet më të dalluara te skuadra kryeqytetase. Ndërkaq, te finalisti tjetër u dalluan Tringa Ukaj (17 pikë) dhe Diedona Halitaj (13 pikë).

Në ndërkohë, në palestrën e re të Rahovecit zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në kategorinë e meshkujve, ku po ashtu konkurron Z Mobile Prishtina kundër nikoqirit, KB Rahoveci. /Telegrafi/

TAGS