PD: Rama dhe Nikolla zhysin në kaos maturantët, favorizojnë universitetet private

Grida-Duma1-847x477Partia Demokratike, nëpërmjet sekretares për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma ka deklaruar se reforma e qeverisë në arsim, sikurse kishte paralajmëruar opozita, rezultoi e dështuar. Sipas Dumës, maturantët nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin

Deklarata e plotë

Siç parashikuam për reformën e famshme në arsim, ashtu edhe doli. Edi Rama ia doli të prodhojë një skandal dhe dëm të pariparueshëm për të ardhmen e maturantëve që do të duhet të hynin në universitete.

Maturantët nuk kanë një përgjigje sot, pse nuk rezultojnë fitues, edhe pse shumë prej tyre kanë rezultate të larta e shumë të larta. Nuk e dinë si është llogaritur mesatarja e tyre dhe se cila është diferenca midis mesatares të nxjerrë nga shkolla dhe asaj që del nga kriteret e aplikimit.

Maturantët nuk u orientuan për grup-lëndët preferenciale, të degëve që donin të vazhdonin, para plotësimit të formularit. Nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës, në llogaritjen e mesatares sipas profileve.

Nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin. Nuk e dinë se në sa faza regjistrimi, do kalojë vuajtja e tyre për të vazhduar arsimin e lartë. Nuk marrin askund përgjigje për padrejtësinë që po i bëjnë.

Qeveria i lau duart, duke ja hedhur përgjegjësinë Universiteteve, por gishti i maturantëve është drejtuar sot tek Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Sepse ata i tradhtuan duke i ndryshuar rregullat në prag të përfundimit të maturës.

Ishte Rama me Nikollën që vranë meritat e çdo maturanti, mbollën kaos, zhdukën transparencën dhe i futën Universitetet në rrugë pa krye, duke favorizuar klientelën e tyre të universiteteve private.

Sot fshihen pas deklaratave boshe, por në të vërtetë kjo dyshe ka mashtruar, shpërfillur e përçmuar të rinjtë. Eliminimi i maturës shtetërore si provim hyrës, mungesa e akteve nënligjore për shkak të paaftësisë totale të MAS, e kanë degraduar sistemin e pranimit në një katrahurë të vërtetë.

Mungon merita. Nuk ka asnjë rregull apo normë. Maturantët nuk e dinë ende, pse ministria i voli atyre miliarda lekë me AKP-në e jashtëligjshme, dhe pasi i sorollati dyerve të shkollave, i ka lënë sot rrugëve para xhamave të Universiteteve.

Familjet e maturantëve nuk e dinë, se si do t’i përballojnë tarifat e studimit  e lloj-llojet e tarifave që shtohen çdo ditë në kurriz të tyre. Kjo braktisje e tallje me maturantët duhet të marrë fund. Kjo tallje me të ardhmen e vendit nuk mund të vazhdojë më. Të rinjtë duhet të bashkohen e të ngrohen për ti dhënë fund këtij sistemi të korruptuar e kriminal në arsim. Maturantët, studentët do të jenë më mirë pa Edi Ramën.

6 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

TAGS