Parlamenti Evropian-Shqipëria-Maqedonia e Veriut
Alsat 2019-10-22T15:16:12+02:00
Zyrtarët e lartë evropianë përsëritën qëndrimin se mos çelja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën ishte gabim historik. Presidenti i Këshillit Evroian Donald Tusk duke prezantuar konkluzionet përpara deputetëve evropianë tha se shpreson se kjo padrejtësi do të korrigjohet para Samtit të Zagrebit që duhet të mbahet në maj të vitit të ardhshëm.
“Shumica e shteteve anëtare mbështesnin hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë por pavarësisht kësaj nuk u arrit konsensusi i nevojshëm. Për mua ky ishte një gabim i madh dhe këtë ua thash hapur liderëve evropianë”-tha Donald Tusk, president i Këshillit Evropian.
“Unë jam shumë i zhgënjyer nga vendimi i Këshillit Evropian, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhej të nisnin negociatat dhe ishte gabim i madh që nuk u hapën negociatat me këto dy vende…u krijua përshtypja se kur jep premtime nuk i përmbush ato dhe askush në botë nuk do ta respektojë atë nëse ne nuk e bëjmë një gjë të tillë”-pohoi Zhon Klod Junker, president në largim i Komisionit Evropian.
Vendimin negativ të Këshillit e kritikuan edhe shumica e deputetëve evropianë por kishte të tillë edhe që e përshëndetën.
“Fatkeqësisht disa liderë të shteteve anëtare treguan mungesë të guximit, mençurisë dhe të të menduarit afatgjatë dhe si rezultat nuk hapën negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi do të ketë ndikim ndaj kredibilitetit në rajon dhe mund të kenë pasoja ndaj stabilitetit dhe sigurisë”-tha Eniko Gyori, Partia Popullore Evropiane.
“Franca bllokoi gjithçka sa i përket Maqedonisë së Veriut. Unë jo çdoherë pajtohem me presidentin Makron por këtë radhë duhet të them, Francë të faleminderit”-theksoi Derk Jek Eppink, Grupi evropian konservator- reformist.
Ndërkaq mbështetjen për perspektivën evropiane të vendit e ka konfirmuar edhe një herë Berlini Zyrtar. Përmes një deklarate me shkrim Ambasada gjermane në Shkup inkurajon vendin të vijojë reformat e nevojshme me qëllim që t’i bind të gjitha shtetet anëtare që kanë dyshime se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE.
Semara Musai
Loading…