Ndryshimi i emrave të shkollave të mesme dhe fillore në Tetovë edhe pse është inicuar nga disa drejtorë të shkollave, megjithatë këto kërkesa nuk arritën të jenë në rend dite para këshilltarëve qoftë edhe për debat dhe më pas edhe për miratim, shkruan gazeta KOHA.
Shumica e brishtë e kësaj përbërje në Këshillin e Komunës së Tetovës dhe mungesa e vullnetit nga këshilltarët maqedonas, ka bërë që kjo çështje të mos hyjë në rend dite me arsyetimin se duhet një klimë më pozitive në tërë vendin për të ndryshuar emrat e shkollave. Ndonëse vitin e kaluar kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, kishte deklaruar se ka biseduar me grupet e këshilltarëve për këtë çështje, megjithatë nuk u gjet në rend dite në ndonjërën nga seancat e Këshillit të Komunës. Tema e ndryshimit të emrave të disa shkollave të mesme dhe fillore në Tetovë duke përfshirë edhe rrugët, urat, sheshet, pritet të hapet pas zgjedhjeve të 12 prillit, kurse të ketë epilog brenda këtij mandati të Këshillit të Komunës së Tetovës.
“Iniciativën kur e kam filluar për ndërrimin e emrave të shkollave, rrugëve… kur e kam përpiluar në bashkëpunim me koordinatorët e grupeve të këshilltarëve, kam hasur në atmosferë pozitive dhe të mirë, e kemi diskutuar dy herë në takime dhe kemi vlerësuar se kur do të jetë atmosfera më relaksuese dhe më e mirë për fillim të debatit, pasi për ndryshimet duhet të ketë votim të dyfishtë (badenter), dhe tash ne si parti që kemi krijuar shumicën nuk e kemi badenterin. Por formulën se si do ta diskutojmë dhe realizojmë, do ta ulemi sërish me këshilltarët, dhe kam shumë shpresë se deri në fund të mandatit tonë, të ketë rezultate”, thotë Bekim Memeti, kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës. Megjithatë, kjo është vetëm edhe një premtime nga dhjetëra premtime që para dhjetë vitesh gati.
Në këtë drejtim, nxënësit shqiptarë në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, shkollën e Mesme Komunale Tekstile “Gjoce Stojçevski”, shkollën e Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn”, shkollën e Mesme të Bujqësisë “Mosha Pijade” edhe shumë vite do të presin që të ketë ndryshime të emrave të shkollave. Aktualisht në Tetovë vetëm gjimnazi “7 Marsi” i themeluar para disa viteve mban emrin që ndërlidhet me datë historike për shqiptarët, kurse shkollat tjera nuk kanë asgjë të përbashkët me të kaluarën e shqiptarëve në Tetovë.
Në ndërkohë, më mirë nuk është as me emrat e rrugëve, të cilët po ashtu mbajnë emra të personaliteteve apo ngjarjeve historike që nuk kanë të bëjnë me shqiptarët. Disa rrugë dhe bulevarde të cilët morëm emra të rinj në mandatin e përbërjes së Këshillit të Komunës së Tetovës në vitet 2005-2019, edhe pse nëpër tabela janë të shënuara, megjithatë formë institucionale nuk ka, konkretisht në Kadastër shënohen emrat e vjetër. Dokumentet që vijnë nga posta, policia, regjistri qendror… janë me adresat dhe emrat e vjetër. Ndryshe pretimet për ndërrimin e emrave të personaliteteve komuniste maqedonase ka vite që jepen. kryetarja aktuale, që ushtron mandatin e dytë me radhë, që në 2013 kishte premtuar se emrat monist të shkollave dhe rrugëve do të shkojnë në histori, megjithëse një gjë e tillë edhe sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar. (koha.mk)