Sipas një raporti të Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, arsenali raketor i Iranit është i pakonkurrencë në rajonin e Lindjes së Mesme, duke e lënë pas edhe atë të Izraelit.
Në hulumtimin e Pentagonit thuhet se gjatë dyzet vjetëve të kaluar, Irani e ka zhvilluar një program të gjerë të raketave dhe se madhësia e sofistikimi i forcës raketore po vazhdon të rritet, pavarësisht përpjekjeve të shteteve të tjera për t’ia ndërprerë republikës islamike zhvillimin e këtij armatimi.
Pavarësisht sanksioneve që janë zbatuar kundër Iranit për dekada të tëra, në arsenalin e këtij shteti ka raketa balistike që mund t’i godasin Izraelin dhe Arabinë Saudite me një rreze prej dy mijë kilometrash.
Dy vjet më parë, Irani e prezantoi një raketë me rreze të gjatë veprimi prej dy mijë kilometrash, e cila mund t’i bartë disa koka bërthamore dhe duket se teknologjia e përdorur në të ka prejardhje nga Koreja Veriore, thuhet në këtë raport.
“Në mungesë të një force ajrore modern, Irani është përqendruar në raketa balistike si mundësi për kapacitete në distanca të mëdha për t’i bindur armiqtë, sidomos Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Arabinë Saudite, që të mos e sulmojnë atë”, theksohet në hulumtimin amerikan.
Më tutje, në këtë raport thuhet se zgjerimi i fuqisë ushtarake Iranit i shërben për dy qëllime të rëndësishme. Ato janë sigurimi i mbijetesës së regjimit dhe sigurimi i një pozicioni mbizotëruar në rajon.
Një zyrtar i inteligjencës amerikane tha se Irani pritet që në të ardhmen të blejë më shumë aeroplanë luftarakë dhe tanke. Gjasat më të mëdha janë që ato të blihen nga Rusia dhe Kina, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.