Për besimtarët myslimanë fillon muaji i shenjtë i Ramazanit

Besimtarët myslimanë kanë nisur sot ditën e parë të agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Ndërkohë, mbrëmë besimtarët kudo që janë, përfshirë ata në vendet e Ballkanit falën namazin e teravisë së parë.

Namazi i teravisë është falur nëpër xhamitë e Shkupit, Tiranës, Prishtinës, si dhe në qytete të tjera të vendeve të Ballkanit me pjesëmarrjen e qindra besimtarëve. Në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup besimtarët të shumtë me lutjet e tyre falën namazin e teravisë, ndërsa xhamia ishte e mbushur plot. Dhjetëra besimtarë muslimanë në Xhaminë e Pazarit të Ri në Tiranë kanë kryer ritet e tyre për faljen e teravisë së parë. Xhamia e Madhe – Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë, ishte e mbushur me besimtarë të cilët kanë falur namazin e teravisë së parë. Pas faljes së namazit të jacisë dhe leximit të librit të shenjtë Kuranit, rreth 200 besimtarë kishin mbushur Xhaminë e Madhe në Prishtinë për të falur namazin e parë të teravisë.

Namazi i teravive falet çdo mbrëmje gjatë muajit të Ramazanit, pas namazit të jacisë, duke filluar një mbrëmje para fillimit të agjërimit dhe duke mbaruar një mbrëmje para ditës së Fitër Bajramit.

TAGS