Për Brexit-in mund të duhet “kohë shtesë”

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha se mund të duhet “kohë shtesë” për të finalizuar legjislacionin për Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Hunt tha se shtyrja e mundshme e Brexit-it pas datës 29 mars varet nga përparimi që do të bëhet në javët e ardhshme.

“Nuk mund të dimë në këtë fazë se cili prej skenarëve do të ndodhë”, tha Hunt.

Marrëveshja për kushtet e divorcit, të cilën kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e ka arritur me BE-në, është refuzuar nga Parlamenti britanik.

Ligjvënësit opozitarë kanë thënë se marravëshja, e cila do të ruante lidhje të afërta ekonomike me BE-në, do ta bënte Britaninë “të varur”.

May po kërkon tani “marrëveshje alternativë”, por BE ka thënë se nuk do të rinegociojë.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij viti, në orën 23:00.

Vendimi pason një referendum të vitit 2016, në të cilin qytetarët britanikë kanë votuar pro Brexit-it.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

Loading…

TAGS