Përballja me koronavirusin/ Çfarë thonë ekspertët për shëndetësinë në Shqipëri

Përballja me koronavirusin/ Çfarë thonë ekspertët për shëndetësinë në Shqipëri
Tash esht Koha

Numërohen rreth 89,242 raste me të infektuar nga COVID-19 në të gjithë botën dhe 3,058 të vdekur.





Pavarsisht këtyre shifrave nuk mund të lihet pa permendur se një numër i madh pacientësh, rreth 45,207 raste janë shëruar, pasi kanë marrë mjekimin e duhur. Situata është ende e paqartë nëse virusi do të vazhdojë përhapjen e tij nëpër botë edhe sipas të dhënave të OBSH.

Aktualisht janë prekur 62 shtete në të gjithë botën, taksa autoritetet bëjnë thirrje që higjena të jetë parësore.

Situata në vend

Gjatë mbledhjes së Komitetit të Sigurisë Kombëtare të disa ditëve më parë, Ministria e Shëndetësisë tha se Shqipëria ka të gjitha masat e nevojshme për të përballuar çdo situatë e mundshme.

Në mbledhjen e drejtuar nga Kryeministri Rama, ajo u shpreh :  “Kemi gati strukturat për përballimin e koronavirusit të ri, për karantinimin e personave të dyshuar, strukturat spitalore për trajtimin e rasteve potenciale si dhe strukturat ku do të zhvendosen shërbimet aktuale, nëse do të jetë e nevojshme. Kemi parashikuar skenarët për çdo situatë, që nga rasti i parë potencial e deri në maksimumin e parashikimit”.

Për këtë situatë në Shqipëri është konfirmuar karantina në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, njëkohësisht ka një kapacitet prej 80 shtretërish në QSUT.

Megjithëse pak ditë më parë u konfirmua karantina dhe kushtet e saj u certifikuan nga OBSH, një raport i disa muajve më parë e tregon Shqipërinë të 39-n në botë për sigurinë në shëndetësi.

Sa e sigurt është Shqipëria?

Në indeksin e përvitshëm nga The Economist, Shqipëria mësohet të jetë renditur e 39 në botë për sigurinë në shëndetësi, sipas të dhënave të Revistës Monitor të cilave i’u referohet AgroWeb.org.

Kjo shifër shoqërohet me një mesatare shumë të ulët për shëndetësinë në vendin tonë, konkretisht 35.9 kur mesatarja normale në botë është 59 pikë për këtë kategori.

Në këtë katergori ekspertët kanë vlerësuar gjendjen e spitaleve, klinikave, dhe qëndrave shëndetësore nëpër të gjithë vendin.

Ndërsa tek treguesi për praktikat e kontrollit të infeksioneve dhe të mjeteve ndihmëse vendi ynë ka marrë 0 pikë.

Problem qëndron ende cilësia e laboratorëve dhe spitaleve.

Në këtë kategori Shqipëria renditet e 87 nga 195 vende me 58.3 pikë nga 100 maksimale.

E vetmja pikë e fortë e shëndetësisë në vend u cilësua evidentimi i sëmundjeve me 74.4 pikë kur mesatarja botërore është vetëm 25.

Menaxhimi i emergjencave shëndetësore duket se ka një potencial të madh në vend, teksa e kundërta ndodh me parandalimin dhe krijimin e infrastukturave të posacme.

Testimi ndaj virusit

Përsa i përket diagnostikimit, njoftohet se analizat ndaj koronavirusit mund të kryhen edhe në vend në një nga laboratorët e ISHP.

Deri më tani në vend janë testuar rreth 31 raste të dyshuara për koronavirusin COVID-19, të cilat kanë rezultuar negative.

Sipas të dhënave nga Ministria:“Testimi për koronavirusi kryhet në laboratorin pranë ISHP, konkretisht në Laboratorin e Virologjisë me nivel biosigurie, i çertifikuar nga OBSH.”

Monitorimi në pikat kufitare të vendit vazhdon 24 orë, teksa ende nuk është konfirmuar asnjë rast me këtë virus në Shqipëri./AgroWeb.org

Tash esht Koha
TAGS