Përgjaket Jeruzalemi! Netanyahu: Ditë e lavdishme, mirënjohje Trumpit

Përgjaket Jeruzalemi! Netanyahu: Ditë e lavdishme, mirënjohje Trumpit

Nën tingujt e himnit amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën Ambasadën e tyre në Jeruzalem, një çështje mjaft e nxehtë që ka ndarë komunitetin ndërkombëtar.

Përfaqësues të lartë të Amerikës, mes të cilëve vajza e Trumpit, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, morën pjesë në ceremoni, si për të treguar vendosmërinë amerikane për këtë hap.

Presidenti Donald Trump mori gjithashtu pjesë në ceremoni përmes një videokonference, teksa tha se hapja e Ambasadës në Jeruzalem pritej prej kohësh.

“Izraeli është një komb sovran, me të drejtën për të përcaktuar kryeqytetin e tij. Por, për shumë vite ne dështuam që të njohim atë që ishte e qartë”, tha Trump.

Mesazhi i Trumpit u pasua nga zbulimi i vulës së Ambasadës amerikane, ceremoni e udhëhequr nga Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e afërt e presidentit amerikan. Fjalimi në podium ishte rezervuar për një tjetër person të familjes së madhe presidenciale.

“Kur presidenti Trump bën një premtim, ai e mban. I treguam botës se mund të keni besim te Shtetet e Bashkuara. Ne qëndrojmë përkrah miqve dhe aleatëve”, tha Kushner.

Kushner foli edhe për paktin, sipas tij të rrezikshëm dhe të gabuar, me Iranin, që Trump e braktisi vetëm pak ditë më parë, duke marrë duartrokitje nga turma.

“Kjo është një ditë e lavdishme, është historike. Presidenti Trump, duke njohur historinë ju keni shkruar historinë. Që të gjithë ne ju jemi mirënjohës. Ne jemi këtu dhe nuk do të shkojmë asgjëkundi”, tha Netanyahu.