7 Mars 2019 / 18:39
Përplasje mes pushtetit dhe opozitës mbi ligjin për pengimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Opozita akuzon se me miratimin e këtij ligji, vendi do të humb vlerat e familjes tradicionale, duke kundërshtuar kështu kurorëzimin në mes dy personave të përkatësisë së njejtë gjinore. Deputeti i VMRO DPMNE-së Vlatko Gjorçev thotë se përmes këtij ligji familjet tradicionale etiketohen si jo tolerante.
Carovska, ju bëj thirrje juve dhe shumicës që thellësisht të mendojnë çfarë shoqërie, çfarë lagjesh, çfarë mëhallash do të kemi? Tregoni sens dhe tolerancë për ata të cilët mendojnë ndryshe nga ju, dhe tolerancë për ata të cilët kanë respekt për familjen tradicionale. Mendoj se nuk e keni këtë tolerancë, e as atë sensibilitet- tha Vlatko Gjorçev, VMRO DPMNE.
Deputetët e shumicës thonë se me këtë qasje të opozitës, margjinalizohen dhe diskriminohen thellësisht grupet të cilat nuk iu përkasin rregullave tradicionale për krijimin e familjes.
njerëzit kanë të drejtë ta jetojnë jetën e tyre private dhe familjare pa dallim të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor, nga ana tjetër vetë neni 12 që definohet me konventën për të drejtat e njeriut thuhet se çdo burrë dhe grua mundet lirisht të vendosin për kurorëzim dhe formim të familjes. Me një qasje të tillë të deputetëve të opozitës familja dhe kurorëzimi mbeten kategori specifike për një burrë dhe për një grua, por çështja që hapet këtu është trajtimi i të gjitha bashkësive të tjera që nuk bien në kategorinë e kurorëzimit- tha Pavle Bogoevski, LSDM.
Ministrja e Punës Sociale tha se me këtë ligj Maqedonia i bashkëngjitet vlerave Evropiane përmes respektimit të të drejtave të të gjithë kategorive të qytetarëve.
Në këtë Ligj plotësojmë që Komisioni patjetër të jetë profesional, vërtetohet se cilat kritere dhe cilat kompetenca dhe kualifikime duhet t’i kenë të gjithë anëtarët me qëllim që t’i mbrojnë dhe t’i përfaqësojnë qytetarët që ndjehen të diskriminuar, në mënyrë plotësuese vendoset termi “segregacion”, poashtu kemi dhe dy risi tjera që vendosen dhe ata janë identiteti gjinor dhe orientimi seksual- tha Mila Carovska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Ligji kaloi leximin e parë në Komisionin për çështje evropiane, por jo edhe në seancë plenare për shkak të mungesës së kuorumit.
Vjollca Aliti
Loading…