Perspektivat e BE-së për Ballkanin Perëndimor gjatë 2020-ës

Perspektivat e BE-së për Ballkanin Perëndimor gjatë 2020-ës

Kur bëhet fjalë për perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor, viti 2019 pati pak pika pozitive. Përkundër pritjeve, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të hapnin negociatat me BE-në. Shumë zyrtarë të BE-së e dënuan këtë vendim dhe e quajtën atë si një “gabim historik”, madje edhe Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që mbështeste hapjen e negociatave. Gjithashtu, Bosnje Hercegovinës nuk iu dha statusi i kandidatit por edhe Kosova nuk mori liberalizimin e vizave. Ky i fundit vendim i shumëpritur. Për më tepër, proceset e reformës së zgjerimit ngecën për Serbinë dhe Malin e Zi. Kurse dialogu Kosovë- Serbi nuk rifilloi, pas tarifës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj Serbisë në fund të vitit 2018.

Sidoqoftë, gjërat ishin në lëvizje. Vetë BE-ja në 2019 bëri zgjedhjet – Komisioni i ri Evropian tashmë i drejtuar nga Ursula Von der Leyen mori detyrën me 1 dhjetor 2019, kurse frika për një të djathtë ekstreme në Parlamentit Evropian nuk u materializua.

Në vijim do të analizojmë disa nga pikat kryesore të pritura për rajonin në 2020:

  1. Paketa e re e zgjerimit

Kundërshtimet franceze për mos hapjen e negociatave treguan se mbi procesin e zgjerimit ka mungesë konsensusi mes shteteve anëtare të BE-së dhe se premtimet e dhëna nga Komisioni Evropian nuk kanë pothuajse asnjë peshë mbi vendet në proces. Sidoqoftë, vetoja franceze ishte pjesërisht e justifikuar me pretendimin se procesi i zgjerimit duhet të reformohet dhe ajo paraqiti propozimin e saj. Po ashtu komisioneri Evropian për Zgjerimin z. Olivér Várhelyi ka deklaruar se Komisioni Evropian do të paraqesë propozimet e tij në janar të vitit 2020. Krijimi i paketës së zgjerimit padyshim që përfaqëson një nga pikat kryesore të pritura për vitin 2020.

  1. Presidenca kroate

Kroacia filloi presidencën e saj të parë të BE-së më 1 janar 2020 nën moton “Një Evropë e fortë në një botë sfidash”. Kroacia është një nga vendet anëtare të BE-së që preken drejtpërdrejt nga zgjerimi i BE-së. Ajo është fqinje me tre vende të Ballkanit Perëndimor. Kroacia ka deklaruar mbështetjen e zgjerimin te BE-së dhe kryeministri Anrej Plenković është i interesuar të luajë një rol të rëndësishëm në rajon.

  1. Samiti i Zagrebit

Ndoshta ngjarja më e rëndësishme brenda presidencës së Kroacisë rreth zgjerimin do të jetë Samiti i Zagrebit, i planifikuar në 7 maj 2020. Ky samit pritet të nxisi procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor për të arritur një konsensus për të ardhmen e procesit të zgjerimit.

  1. Maqedonia e Veriut anëtarësohet në NATO

Maqedonia e Veriut u ftua zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n pasi arriti Marrëveshjen e Prespës në 2018 me Greqinë, dhe pasi marrëveshja u ratifikua në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë në fillim e vitit 2019. Maqedonia e Veriut pothuajse me siguri do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës, protokolli i pranimit u ratifikua me 28 nga 29 vendet anëtare në vitin 2019. Spanja është vendi i fundit që pritet të kalojë ratifikimin në Kuvend. Kujtojmë se mungesa e ratifikimit së Spanjës është pasojë e krizës politike në vend dhe jo ndonjë kundërshtim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë.

  1. Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi 

Tre vende të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, pritet të zhvillojnë zgjedhjet parlamentare në vitin 2020. Këto përfaqësojnë ngjarje mjaft të rëndësishme për rajonin.

Maqedoninë e Veriut – kryeministrit Zoran Zaev dha dorëheqjen pasi Këshilli Evropian nuk hapi negociatat e pranimit në BE. Vendi do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të cilat do të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Duke pasur parasysh që qeveria e Zaevit  ndryshoi emrin e shtetit të Maqedonisë kryesisht për hir të anëtarësimit në BE. Dështimi i mundshëm për të hapur bisedimet për anëtarësim akoma në vitin 2020 mund të ketë pasoja të paparashikuara për vendin.

Serbia – vendi gjatë vitit 2019 hyri në një krizë politike, pasi një pjesë e madhe e opozitës filluan bojkotimin e parlamentit dhe njoftuan vendimin e tyre për të bojkotuar edhe zgjedhjet parlamentare të ardhshme të 2020. Parlamenti Evropian dërgoi delegacionin e tij për të vepruar si ndërmjetës midis partive, por një shumicë e opozitës bojkotoi gjithashtu edhe këto diskutime. Zgjedhjet janë të planifikuara për në fund të prillit ose në fillim të majit të 2020.

Mal të Zi – zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 mund të jenë një çështje e diskutueshme, pasi polarizimi politik duket se është në rritje. Zgjedhjet e mëparshme parlamentare në vitin 2016 patën një përpjekje për grusht shtetit të mbështetur nga Rusia në ditën e zgjedhjeve. Tensionet e fundit rreth ligjit për lirinë e fesë i miratuar kohët e fundit po çojnë vendin në tensione të mëtejshme gjithashtu, edhe bojkoti i zgjedhjeve nga një pjesë e opozitës mbetet një mundësi.

  1. Faza e re në dialogun Prishtinë-Beograd

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit u ndërpre plotësisht pasi Kosova vuri 100% tarifa për mallrat që vinin nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina në nëntor të 2018-ës. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ka shprehur interes për vazhdimin e dialogut mes dy shteteve. Vazhdimi i procesit të dialogut mund të rrezikohet ndjeshëm nga kriza politike në Serbi dhe zgjatja e formimit të qeverisë në Kosovë. Sidoqoftë, procesi i dialogut është i ngrirë për një kohë të gjatë por ka aktorë që kanë shprehur interes të rëndësishëm për rihapjen e tyre. Pritet që dialogu të rifillojë në vitin në vijim.

  1. Mini-Shengeni Ballkanik

Integrimi Evropian dhe bashkëpunimi rajonal janë te ndërthurur ngushtë. Një nga qëllimet kryesore të BE-se është të inkurajojë vendet e rajonit të bashkëpunojnë mes tyre në shumë fusha si zhvillimi ekonomik dhe shoqëror, energjia dhe infrastruktura, drejtësia dhe punët e brendshme, bashkëpunim në siguri, ndërtimi i kapitalit njerëzor dhe i marrëdhënieve parlamentare etj. Një komponent specifik i fondeve të para pranimit (IPA) të BE-së i kushtohet bashkëpunimit rajonal dhe programeve ndërkufitare. Në samitin e fundit të Ballkanit Perendimor për Mini-Schengenin i mbajtur në Tiranë më 20/21 dhjetor 2019 morën pjesë përfaqësueses të Komisionit Europian, Departamentit Amerikan të Shtetit, Bankës Botërore, Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Bankës Europiane të  Investimeve që po mbështesin nismën e Mini-Schengenit Ballkanik. Samiti vijues do të zhvillohet në Beograd në fillim të shkurtit 2020.

  1. Liberalizimi i vizave me Kosoven

Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa qarkullimin e lirë të personave. Në janar 2012, Parlamenti Evropian filloi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Në korrik të 2018, Komisioni Evropian konfirmoi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret. Në shtator 2018, Parlamenti Evropian vendosi të fillojë negociata ndërinstitucionale, të cilat janë duke vazhduar. Pas shumë thirrjesh pritet që në 2020 të liberalizohen përfundimisht vizat për qytetaret e Kosovës.

  1. Presidenca Gjermane e BE-së

Gjermania do të marrë presidencën gjashtëmujore në Këshillin Evropian me 1 korrik 2020. Ajo është aktore e rëndësishme politike dhe ekonomike në BE por edhe mbështetës i rëndësishëm i zgjerimit të BE-se. Gjermania është padyshim vendi me rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanin Perëndimor. Në terma absolutë, Gjermania është eksportuesi dhe importuesi më i madh nga vendet e Ballkanit – në vitin 2017 me 16% te eksporteve  dhe 23% te importeve të mallrave.

  1. Hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë 

Perspektivat për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut ndikohen nga shumë aktorë dhe faktorë. Dakordsimi i aktorëve skeptike si Franca, Hollanda dhe Danimarca por ashtu edhe arritja e përbashkët për konsensus mbi reformën e procesit të zgjerimit mund të jete një skenar i mundshëm në vitin 2020. Megjithatë 27 shtetet anëtare të BE-se duhet të konfirmojnë angazhimin e tyre për zgjerimin në një mënyrë shumë të qartë në Zagreb, në maj të këtij viti.

Përgatiti: Ela Daci

Loading…