Zëvendësministrja e Brendshme plotësuese Sllavjanka Petrovska njofton se do të kundërshtojë formimin e strukturave paralele në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shkeljen e principit të hierarkisë dhe ligjeve. Ajo para mediave sqaroi se diskursi i saj është vetëm paralajmërim duke qenë se deri tani nuk ka njohuri për një përpjekje të tillë. Petrovska tha se proceset e nisura në këtë ministri duhet të vijojnë normalisht edhe gjatë ciklit zgjedhor dhe qytetarët të mos jenë pre e obstruksioneve, bllokadave dhe presioneve.
Ky është një mesazh ndaj të gjithë pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme që të funksionojnë kryekëput sipas ligjit për punë të brendshme dhe ligjit për policinë. Në këtë moment, njohuri konkrete ose aktivitete nuk ka por mesazhi dërgohet paraprakisht që të mos ndodhë ndonjë situatë në të ardhmen”-tha Slavjanka Petrovska, zëvendësministre e Brendshme plotësuese.
Petrovska nuk ka hequr dorë nga padia penale e paralajmëruar ndaj ministrit të Brendshëm Naçe Çulev. Sa u takon përplasjeve konstante që kanë pasur për disa çëshja, zëvendësministrja plotësuese tha se punojnë në zgjidhjen e mos-marrëveshjeve.
Zgjidhen në vazhdimësi. Për momentin situata e pakëndshme që u krijua me dërgimin e telegramit të ministrit Çulev është nën kontroll, ai është detyrim i drejtorit të Byrosë për Siguri Publike dhe pikërisht për këtë e dërgova edhe mesazhin e respektimit të hierarkisë në MPB. Tani për tani disa çështje janë të hapura. Problemin me shfuqizimin e urdhrave brenda natës, jemi duke e zgjidhur dhe vazhdojmë edhe sot ta zgjidhim”-pohoi Slavjanka Petrovska, zëvendësministre e Brendshme plotësuese.
Petrovska mbetet në qëndrimin që Risto Stavrevski nuk është zgjedhje e mire për të drejtuar me SPB-në e Shkupit, pasi njihet për presionet që ka zhvilluar në cikle zgjedhore. Përgjegjësia për këtë zgjedhje të Çulevit mbetet vetëm politike. VMRO-DPMNE-ja ka reaguar ndaj konferencës për media të zëvendësministres plotësuese. Partia e Mickoskit e akuzon atë për gënjeshtra dhe manipulim. Sipas tyre, ajo ndjek rrugën e shefit të saj, ish ministrit Oliver Spasovskit.
Kur Petrovska flet për profesionalizëm në MPB mendon për angazhimin e krye-shefit të mëhershëm të SPB-së së Shtipit, tani i akuzuar për krim të rëndë, si këshilltar i drejtorit BSP-së. kur Petrovska flet për profesionalizëm në MPB mendon për Dragan Simonovsken, këshilltar i Spasovskit i cili përfundoi në burg për shkak të keqpërdorimit të masave të veçanta për shantazh dhe Llaze Vellkovski, vajza e të cilit me veturë zyrtare shkoi në pushim në Greqi”-thonë nga VMRO-DPMNE.
Raportet mes ministrit të Brendshëm Naqe Çulev dhe zëvendësministres plotësuese Slavjanka Petrovska u ashpërsuan pas emërimit të krye-shefit të ri për SPB-në e Shkupit dhe pas shfuqizimit nga ana e ministrit të disa vendimeve të mëhershme që kishin të bënin me automjetet e MPB-së dhe shpërndarjes së nëpunësve.