Plagosen 5 policë në protestën e natës të opozitës

Plagosen 5 policë në protestën e natës të opozitës

Protesta e opozitës përfundoi dhunshëm dhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa një automjeti përpara Parlamentit iu vu zjarri.

Protestuesit nuk lejuan as që zjarrfikësja të shuante zjarrin, por ia arritën për pak qëllimit të tyre, pasi ajo u rrethua nga forca të shumta policie dhe vazhdoi shërbimin e saj. Përpara Parlamentit, për më shumë se 90 minuta, protestuesit hodhën bomba Molotov dhe sende të forta ndaj policisë që ishte në ruajtje të godinës, ndërsa kjo e fundit përdori gaz lotsjellës.

Gazi i përdorur nga policia i detyroi protestuesit që të largoheshin prej rrethimit të Parlamentit, por pasi efekti i saj largohej, ata sërish i afroheshin kordonit të policisë duke vazhduar të tentonin çarjen e tij.

Policia përdori edhe automjetin e saj të ujëhedhëses me qëllim shpërndarjen e turmës.

Policia i bëri thirrje disa herë me megafon protestuesve për të hequr dorë nga veprimet e dhunshme, duke i kujtuar se çdokush do të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e veta.

Gjatë gjithë protestës, lideri i opozitës, Lulzim Basha, si edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ish-kryeministri, Sali Berisha nuk i janë shkëputur në asnjë moment asaj. Pak pas orës 22:00, drejtuesit e kësaj proteste vendosën ta mbyllin atë, duke iu drejtuar si në çdo përfundim proteste selisë së Partisë Demokratike. Kreu i saj, Basha u tha protestuesve se kjo protestë ishte një fitore e madhe.

Protesta nisi pasdite rreth orës 18 e 15 minuta. Që në fillimin e saj protestuesit hodhën mbi policinë fishekzjarrë dhe mjete piroteknike. Të paktën 5 policë u dëmtuan në fytyrë prej tyre dhe u dërguan në spitalin universitar “Nënë Tereza” për të marrë mjekimin e nevojshëm. Por, bashkë me ta në spital shkuan edhe 15 protestues të cilët kishin probleme me frymëmarrjen si pasojë e hedhjes nga policia të gazit lotsjellës.

Protestuesve u priu Lulzim Basha, i cili edhe gjatë kësaj proteste ishte i vendosur se vetëm një qeveri tranzitore dhe largimi i Edi Ramës është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë. /TCH/Telegrafi/

TAGS