Pojata 100 vjeçare në Metehi, i vetmi objekt i tillë në Llap (Video)

14 kilometra larg Podujevës gjendet fshati Metehi, një vendbanim fushor i rrafshët, përmes të cilit kalon lumi Llap.

Në këtë vend gjendën disa objekte të vjetra qindravjeçare. Por, ndër më interesantet mbetet kasollja që banorët e kësaj ane e quajnë Pojatë,  e cila dikur ishte në shërbim të kafshëve shtëpiake.

Hajdin Haliti, ndër më të vjetrit në këtë fshat, vjen shpesh në oborrin ku edhe gjendët ky objekt.

Ai ka thënë se një Pojatë të tillë, nuk mund ta gjesh në gjithë rajonin e Llapit.

“Ky objekt është ndërtuar para 100 viteve nga të parët tonë. Është meremetua për bagëti. Në atë kohë ka pasur dhen dhe dhi. Ka pasur edhe tjera, por në katundin tonë ka mbetur vetëm kjo”, thotë Haliti për RTV Dukagjinin.

Në këto shtëpi të braktisura që gjendën në këtë oborr, dikur kishte jetë. Madje thuhet se familja që jetonte këtu kishte edhe shumë bagëti.

Këtë e dëshmon edhe ky objekt i vjetër.

“Këto objekte e kanë pasur edhe derë që të hyjnë edhe njerëzit, pasi femrat i kanë mjelë bagëtitë. Objektet janë ndërtuar në atë mënyrë që të mos futet uji brenda”, shprehet i moshuari.

E mbuluar me fije kashte dhe e ndërtuar nga druri, kjo Pojatë është ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore.

84 vjeçari ka thënë se edhe pas shumë viteve, nuk e ka ndryshuar pamjen e saj.

“Këtë pojatë e kanë pasur dy vëllezër. Kur janë ndarë djemtë e tyre, kanë qenë diku 70 anëtarë. Në atë kohë ka pasur mjaft bagëti. Ka pas dhenë, dhi, ka pasur edhe buallica. Ka pasur njerëz që i kanë pasur edhe njëqind copa bagëti”, thotë  Haliti.

Banori i fshatit Hajdin Haliti, i cili e vështronte me mall në  këtë oborr, ka thënë se nuk janë të rëndësishme më këto objekte sa janë të rëndësishme kujtimet për kohën e kaluar këtu. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

TAGS