Policia me plan operativ për festivalin Sunny Hill, ndalohet qarkullimi i veturave për në Gërmi

Policia me plan operativ për festivalin Sunny Hill, ndalohet qarkullimi i veturave për në Gërmi

Policia e Kosovës ka njoftuar sot lidhur me planin operativ në lidhje me festivalin Sunny Hill që fillon sot dhe zgjat deri më 12 gusht.

Policia ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të  automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Në këtë kontekst, policia do të ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të Prishtinës, KFOR-it, EULEX-it  si dhe veturave të Policisë, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.

Ndalja dhe ridrejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në: Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani); Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi) ; Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.

“Operacioni në fjalë ka filluar të implementohet që në orët e hershme të datës 10.08.2018, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt parkut Gërmia me vetura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

TAGS