Policia ndalon Vetëvendosjen në Tiranë

Policia ndalon Vetëvendosjen në Tiranë

Lëvizja Vetëvendosje është duke mbajtur protestë në Tiranë kundër vizitës së presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Shqipëri dhe kundër kreut të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në bulevard dhe të marshojnë drejt sheshit ‘Nënë Tereza’ por janë shtyrë me forcë nga policia.

Protestuesit kanë akuzuar policinë se po bëhet palë me serbët.

Lexo po ashtu:

“Vuçiç, Vuçiç jashtë nga Shqipëria”-shprehen protestuesit.

Ndërkohë Boiken Abazi, drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, tha se të dy presidentët janë politikanë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai shtoi se është hera e parë që Millorad Dodik vjen në Tiranë, dhe se i njëjti është politikan non-grata në SHBA.

“E kemi deklaruar person non-grata, njëjtë kemi vepruar edhe me Vuçiq që nuk besojmë që ka dallim midis tyre. Vuçiq dhe Dodik kanë një të kaluar dhe tashmë kriminale në Ballkan, dhe specifikisht Vuçiq edhe në Kosove e dini pozicionin që ka mbajtur në Qeverinë e Millosheviq si ministër i Informacionit, e dini që para pak kohësh e quajti Millosheviqin udhëheqës të madh ndërkohë ishte duke përgatitur për të bërë bashkë me bashkëpunëtorët që gjeti mes politikanëve shqiptarë, ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, që e quajnë shkëmbim territoresh apo korrigjim kufijsh”, tha ai.

Abazi tha se mirëpret kundërshtimin e kancelares gjermane Angela Merkel ndaj idesë për ndryshimin e kufijve.

Ndryshe, në Tiranë sot dhe nesër mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në procesin e Brdo Brionit./Telegrafi/

TAGS