Policia nuk gjen asnjë bombë

Policia nuk gjen asnjë bombë

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar që në objektet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atë të Prokurorisë Speciale nuk ka gjetur asnjë bombë, transmeton “Zëri.info”.

Po ashtu policia e Kosovës ka bërë të ditur që pas hetimeve dhe sigurimit të vendit të ngjarjes nuk kanë hasur në mjetin e dyshuar për të cilin është pretenduar nga kërcënuesi.

Policia pas kësaj ngjarje është duke punuar për ta identifikuar të dyshuarin kryesor i cili në orën 10:30 në mëngjes ka thirrur në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe ka kërcënuar që në po të njëjtin vend do të vendos një bombë.

Rruga “Luan Haradinaj”, në Prishtinë në të cilën gjenden edhe këto objekte ka qenë e mbyllur deri në orën 15:00 kur edhe është liruar për qarkullim.

Më poshtë e gjeni njoftimin e policisë. 

Sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30, në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri (3) thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja.

Në vazhdim, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë./ZERI