Porositi vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, gjykata e lartë greke nuk e ekstradon Bledar Jambellin

Porositi vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, gjykata e lartë greke nuk e ekstradon Bledar Jambellin

Autoritete Greke kanë vendosur që të mos e ekstradojnë në Shqipëri të dyshuarin si porositësi i vrasjes së kryekomisarit Artan Cuku. Gjykata e Lartë në Greqi, vendosi refuzimin e kërkesës së Autoriteteve shqiptare për të sjellë përpara drejtësisë në vendin tonë Bledar Jambellin, mbi të cilin rëndon akuza e “Vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim.

Përgjigja negative për Jambellin ka mbërritur prej më shumë se 1 muaji pranë Ministrisë së Drejtësisë, por është mbajtur e fshehtë nga autoritete tona.  Ndërkohë, prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të vendimit të plotë i Gjykatës së Lartë Greke.

Bledar Jambelli, i njohur ndryshe me emrin Rikardo Muho, u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar në Greqi, gati 2 vite pas vrasjes së komisar Artan Cukut. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata e krimeve të rënda i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë më 8 Prilli 2017.

Në bazë të hetimeve ka rezultuar se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e Kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Për vrasjen e Artan Cukut, vuan dënimin ekzekutori Mikel Shallari, ndërsa është ende në kërkim i akuzuari si bashkëpunëtor, Kristian Leci si bashkëpunëtor./abcnews