Prej nesër do të hapen pika për kontrolle stomatologjike, mbyllen ordinancat private për shkak Kovid-19

Prej nesër do të hapen pika për kontrolle stomatologjike, mbyllen ordinancat private për shkak Kovid-19

Duke e pasur parasysh mundësinë e zgjerimit të koronavirusit, ministria e shëndetësisë ka urdhëruar të gjithë shtëpitë shëndetësore në tërë territorin të hapin pika stomatologjike, por vetëm për raste urgjente.

Banorët e Shkupit tek dentisti do të shkojnë në poliklinikat Jane Sandanski, Gjorçe Pterov dhe Bit Pazar, por vetëm nëse kanë ndonjë nevojë urgjente, siç janë dhimbjet disa ditore, infeksionet ose gjakderdhjet eventuale.

Autoritetet shëndetësore kanë urdhëruar ordinancave private që të mos punojnë këtë periudhë. Nëse paraqitet nevoja, ministria do t’i kyç edhe ata në punën e shërbimeve stomatologjike.

Nga Oda e stomatologëve thonë se kanë pranuar protokolle se si do të pranojnë dhe trajtojnë pacientë.

Kryetari i Odës, për TV24 ka thënë se pikat po furnizohen me pajisje mbrojtëse për stomatologët, mjete dezinfektuese dhe gjithçka që është e nevojshme për mbrojtje të kuadrit dhe pacientëve nga Kovid-19.

“Planifikohet që të gjithë qytetet të jenë të përgatitur për të pranuar raste urgjente të pacientëve. Çdokush duhet të respektoj pacientin e tij dhe ta këshilloj. Kjo është koha e solidaritetit”, ka thënë Marjan Denkovski, kryetar i Odës së Stomatologëve.