Me premierë gala dhe shëtitje në tapetin e kuq, mbrëmë, në kuadër të Edicionit të 14-të të Festivalit të Filmit në Romë, u shfaq premiera e filmit më të ri artistik “Shelgu” të regjisorit Millço Mançevski.
Në premierën, e cila u mbajt në Sallën Petrasi, në kompleksin më të madh muzikor publik “Parku i Muzikës”, mori pjesë edhe ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili.
Për filmin “Shelgu”, dita e parë e festivalit në Romë filloi me një projeksion të mëngjesit për gazetarët, e ndjekur nga konferenca për shtyp me regjisorin Mançevski dhe me aktoret maqedonase Sara Klimoska, Natalija Teodosieva dhe Kamka Tocinovski.
Filmi “Shelgu” në Festivalin e Romës u ndodh në programin zyrtar në mesin e 33 filmave nga 25 vendet e botës. Duke e shpallur programin, drejtori artistik i Festivalit, Antonio Monda, e përshkroi filmin e Mançevskit si “të mrekullueshëm”. Ai shtoi se këtë vit Festivali është në shenjën e femrës: elegante dhe e sigurt, nocione që i referohen edhe filmit “Shelgu”, i cili flet për mëmësinë, dashurinë dhe besimin.
Festivali u hap më 17 tetor me projeksionin e filmit më të ri të aktorit dhe regjisorit, Edvard Norton, “Bruklini pa nënë”, ku interpretojnë Brus Vilis, Alek Boldvin dhe Vilem Defo.
Festivali i Filmit në Romë është një eveniment i madh kulturor ku audienca ka mundësinë të flasë drejtpërdrejt me regjisorët, aktorët dhe shkrimtarët më të mëdhenj. Gjithashtu, paralelisht me Festivalin, ekziston edhe një treg i madh i filmit për shitjen e filmave dhe lidhjen e projekteve të reja.
Filmi “Shelgu” është filmi i gjashtë me metrazh të gjatë i Millço Mançevskit. Në film luan një ekip i aktorëve të rinj: Nikolla Risteski, Sara Klimoska, Natalija Teodosieva, Nenad Nacev, Kamka Tocinovski. Në rolet e tjera luajnë: Petar Mirçevski, Bllagoj Çorevski, Ratka Radmanoviq, Ana Kostovska, Llaze Manaskovski, Katina Ivanova, Kire Gjorevski, Adem Karaga, Jelena Jovanova – Periq etj. Muzika është shkruar nga Kiril Xhajkovski, disenjator i produksionit është Dejvid Mans, drejtor i fotografisë është Tamash Dobosh, ndërsa producent i filmit është Jane Qortoshev. Filmi është në produksionin e “Banana Film” dhe është bashkëproduksion maqedono-hungarez-belg, me pjesëmarrjen edhe të Shqipërisë.