20 Shkurt 2019 / 14:47
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela anuloi takimin me kryeministrin Zoran Zaev për gjetjen e gjuhës së përbashkët për kandidatin konsensual për president. Ky qëndrim i Selës vjen pas marrjes së kompetencave të kreut të Gostivarit Arben Taravari në fushën e arsimit. I pari i Aleancës nuk pranoi të flas për takimin e anuluar. Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se pas anulimit të takimit ka biseduar me Selën, duke shtuar se janë marr vesh që palët të mbeten në komunikim.
“U dëgjuam me zotin Sela. Takimin e ka anuluar në shenjë revolte për shkak të marrjes së kompetencave të kryetarit të Gostivarit nga Ministria e Arsimit. Kemi lënë hapësirë për komunikim sepse ia vlen. Jam optimist, por nuk mund të them se jam i sigurt sepse të gjitha vendimet duhet të kalojnë në organet partiake e të gjitha partive me të cilat jam takuar”. theksoi Zoran Zaev, Kryeministër
Një natë më parë në emisionin debativ në Radiotelevizionin publik, Sela ironizoi kandidatin konsensual, ndërsa takimet për gjetjen e kandidatit të përbashkët i quajti humor qeveritar.
“Nuk e di se cila do të ishte oferta konkrete e tij sepse në momentin që fton një subjekt në bisedime lidhur me kandidatët për president konsensual atëherë kjo i bie se kryeministri Zaev qenka i gatshëm të pranojë një kandidat të propozuar nga opozita shqiptare”. – tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët
Nga ana tjetër lidhur me ofertën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti për gjetjen e kandidatit të përbashkët me partitë shqiptare, Sela porositi të parin e integristëve që të mos deklarohet nga vetura por të thërrasë takim në pajtim me Deklaratën e Përbashkët të partive shqiptare.
“Me sa kam parë unë dhe opinioni, zoti Ali Ahmeti e zgjati dorën tek dera e makinës për të hyrë në makinë dhe nuk i zgjati dorën opozitës shqiptare. Ishte një deklaratë derisa vraponte për të hyrë në makinë”. – u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarë
Të enjten, kryeministri Zoran Zaev do ta takojë kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për të gjetur gjuhën e përbashkët mbi kandidatin për president. Ditë më parë, Zaev takoi kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe atë të Aletrnativës, Afrim Gashi. Në takimet e deritanishme nuk është biseduar konkretisht për emrat e kandidatëve.
Adrian Kerimi
Loading…