Alsat-M 2019-04-22T14:31:30+02:00
Menjëherë pas mbylljes së procesit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve filloi numërimin e votave të kandidatëve për president. Nga rezultatet e para, kandidati i shumicës parlamentare, Stevo Pendarovski ishte në epërsi ndaj dy kundër kandidatëve të tij, Gordana Siljanovska dhe Blerim Reka. Në orët e vona, kur 99 për qind e rezultateve ishin numëruar, KSHZ-ja njoftoi se Pendarovski ka marr mbi 323 mijë vota, apo në përqindje 42,85 për qind. Pas tij u radhit Gordana Siljanovska me 319 mijë vota apo 42,24 për qind. Kandidati Blerim Reka u radhit i treti, duke marr afër 80 mijë vota, shumicën e tyre në vendbanimet shqiptare dhe vota në çdo komunë në nivel republikan. Ndonëse akoma pa rezultat final, dyja palët shpallen fitore. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev duke komentuar diferencën e ngushtë theksoi se vendi u përcaktua për kandidat evropian, duke mos harruar që menjëherë të kërkojë mbështetjen për raundin dytë.
Kemi mbi 4500 vota përparësi dhe fitore për Stevo Pendarovskin dhe më lejoni që t’ju uroj për zgjedhje të lira dhe demokratike me të cilat dëshmuam vlera Evropiane. Jam i bindur se në raundin e dytë do të kemi edhe një vlerë Evropiane dhe ajo është duke pasur kryetar evropian të shtetit”. – theksoi Zoran Zaev, Kryeministër
Fitore shpalli edhe VMRO-DPMNE-ja. Derisa as 85 për qind e rezultateve nuk ishin numëruar, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski shpalli fitoren e kandidates së mbështetur nga subjekti i tij, duke shtuar se bashkë me Siljanovskan fitoi edhe Maqedonia kundër asaj të Veriut. Mickoski rezultatin e interpretoi si fillimin e rënies së Qeverisë.
Fituam dhe kjo fitore është e gjithë juve që jeni këtu dhe gjithë juve të cilët sot mbështetët presidenten e ardhshme të Maqedonisë, Gordana Siljanovska. I mundëm të gjitha mbetjet e tranzicionit, i mundëm të gjitha politikat mashtruese, të pasuksesshme dhe kriminale me të cilat udhëheq Zoran Zaev”. – u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së
Opozita shqiptare votat të cilat i mori Blerim Reka i cilësoi si vota të fitores shqiptare, duke shtuar se qytetarët i morën legjitimitetin parive politike shqiptare në pushtet.
Shqiptarët e dhanë qartas mesazhin dhe sot me votë dëshmuan se janë të pakënaqur, qoftë kjo me votë të drejtpërdrejt ndaj profesor Rekës siç e tha, po e përsëris në të gjitha vendbanimet shqiptare dhe komunat shqiptare, Reka fiton 3 me 1. Po të njëjtin mesazh e jep edhe dalja e ulët në Komunat shqiptare, bojkoti për definicion dhe çdoherë është bojkot ndaj pushtetit dhe assesi ndaj opozitës e cila synon të sjell ndryshime”. – tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së
Asnjë nga subjektet politike nuk është ankuar për parregullsi zgjedhore, duke e cilësuar procesin njëzëri si të lirë dhe demokratik. Dalja prej 40 për qind shënon daljen më të ulët në historinë e zgjedhjeve presidenciale në vend.
Adrian Kerimi
Loading…