Presidenti Stevo Pendarovski nuk bën aspak dallime etnike, emëron edhe një shqiptar në post të lartë

Presidenti Stevo Pendarovski nuk bën aspak dallime etnike, emëron edhe një shqiptar në post të lartë

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Veriore Stevo Pendarovski për herë të parë në historinë e Maqedonisë për drejtor të Agjencisë së Zbulimit, njërën prej agjencioneve më të rëndësishme në shtet, ka emëruar shqiptarin Erolld Musliu. Në këtë mënyrë presidenti Pendarovski ka shpërblyer një pjesë të madhe të shqiptarëve që i kanë dhënë përkrahje në garën e tij për president të shtetit.

Ndërsa, sot Besnik Emini merr detyrën komandant i brigadës së parë të makinerisë këmbësore në komandën e përbashkët operative në shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut. Emini si shqiptar i parë në këtë pozicion zë vendin e Dragan Kovaçkit, i cili në shkurt të këtij viti u emërua nga ish presidenti Gjorge Ivanov, ndërsa presidenti aktual Stevo Pendarovski abrogoi vendimin e paraardhësit të tij.

Po ashtu edhe Blerim Kolallin, kryetari i shtetit e emëroi këshilltar për Këshilltar të sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, vetëm kohë më parë Presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski në një intervistë ekskluzive për Almakos ka folur edhe rreth emërimit të disa shqiptarëve në pozitat kyçe në aspektin e sigurisë në Maqedoni.

Për Erolld Musliun, Pendarovski vlerëson se ai është zgjedhur si drejtor për shkak të profesionalizmit të tij.

“Erolld Musliu është profesionist nga sektori i sigurisë me përvojë afatgjate. Këto ishin kriteret e emërimit të tij: arsimimi, përvoja dhe aftësia për të udhëhequr një sektor kaq senzitiv siç është ai i sigurisë, si dhe bashkëpunimi me institucionet në vend dhe jashtë shtetit.”, deklaroi për Almakos, Pendarovski.

Presidenti Pendarovski vlerësoi lart edhe Blerim Kolallin si profesionist duke theksuar se arsyeja pse ai është në kabinetin e tij është për shkak të profesionalizmit të tij.

“Kriteret për emërimin e Kolallit për Këshilltar të sigurisë kombëtare sikurse edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë – arsimimi, përvoja dhe qasja profesionale ndaj punës. Konsideroj se ai ka përvojën e duhur dhe mundin e dhënë dhe mund të kontribuojë si këshilltari im për sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh edhe përvojën shumëvjeçare duke punuar për NATO-n, organizatën më të suksesshme politiko- ushtarake drejt së cilës bashkangjitemi dhe standardet e së cilës i miratojmë.”, deklaroi Pendarovski.

Pendarovski vazhdoi me arsyetimin duke thënë se kabineti i tij duhet që të jetë reflektim i shoqërisë ku jetojmë./Almakos