Prishtinasi që ia la qenit emrin Josip Broz për shaka

Prishtinasi që ia la qenit emrin Josip Broz për shaka

Emrin e ish-diktatorit jugosllav e mban një qen në Prishtinë. Vetëm nofkën nuk e ka Tito, por Pipo. Pronari i qenit të quajtur Josip Broz Pipo, Mentor Mahmuti, thotë se e pagëzoi kafshën shtëpiake me emrin liderit të dikurshëm jugosllav jo për qëllime ideologjike, por për shaka. Thotë se nuk ka një  mendim të qartë për njeriun që vrau më shumë se 1 milion njerëz gjatë udhëheqjes 35 vjeçare të Jugosllavisë.

Shkruan: Rinesa Osmanaj*

Mentor Mahmuti e ka pagëzuar qenin e tij me emrin e ish-udhëheqësit jugosllav, Josip Broz. Mirëpo, nofkën e Titos e ka ndryshuar në “Pipo”.

Pronari i qenit thotë se  ia vendosi kafshës së tij emrin e Titos më shumë për të bërë shaka e jo për qëllime të tjera.

“Nuk ka ngjyrime ideologjike pas këtij emërtimi. Por është thjesht një shaka mes miqve”, shpjegon 25 vjeçari nga Prishtina.

Josip Broz Tito ishte udhëheqës i Jugosllavisë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në maj të vitit 1980, kur vdiq. Tito konsiderohet njëri prej diktatorëve më të mëdhenj të Ballkanit dhe njeriu që ka vrarë e likuiduar më shumë se një milion njerëz.

Profesori i UP-së, Milazim Krasniqi, duke cituar arkivat e dokumenteve serbe, shpjegon se në ish –Jugosllavinë e Titos janë vrarë ose kanë vdekur nga ekspozimi ndaj kushteve çnjerëzore  1 milion e 170 mijë njerëz.  Në këtë numër janë mbi 50 mijë shqiptarë të vrarë e masakruar.

Gjatë kohës së pushtetit të Titos, tri herë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë.

Megjithëkëtë, Mentor Mahmuti thotë se nuk ka simpati të njëjtë për qenin dhe ish-shefin e Jugosllavisë së dikurshme.

“Dashuria për qenin Josip Broz Pipo është e madhe, por ndjenja të ngjashme nuk ndaj edhe për personin në të cilin jam bazuar për emër”, thotë ai.

 Djaloshi nga Prishtina ka 5 vjet që e ka qenin e llojit “Dogo Argentino”, i cili tashmë është pjesë e pandashme e familjes dhe gjithë miqve të tij.

 Por, në lidhje me mendimet e tij personale ndaj Titos, ai e quan atë si lider interesant krahasuar me natyrën e liderëve të tjerë të shteteve të ashtuquajtura socialiste ose komuniste.  Ai pohoi se njohuritë e tij për të janë të mjegullta.

Një pjesë e shqiptarëve e konsiderojnë Titon si njërin prej liderëve të mirë të kohës. Madje, e përmendin si meritë të tij edhe hapjen e universitetit dhe hapjen e shumë fabrikave në Kosovë.

Pronari i qenit me emrin “Josip Broz-Pipo” nuk e ka problem nëse dikush e keqkupton pse e ka pagëzuar kafshën e butë më një udhëheqës kundërthënës.

Madje, ai thotë se rrëfimet e njerëzve më të moshuar janë se Tito ishte njëfarë lideri interesant i kohës.

“Po, definitivisht po. Mësa kam dëgjuar nga gjeneratat më të vjetra, Tito konsiderohej si balanc i Jugosllavisë”,  u shpreh ai.

Pipo nuk është i vetmi në Prishtinë që emri i tij fillon me Josip Broz pasi që në hotelin Grand gjendet një suitë e cila mban emrin e plotë të ish presidentit gugosllav, ku ai kishte qëndruar në vizitën e tij të fundit në Kosovë në vitin 1979, pak kohë para vdekjes së tij, më 4 maj 1980.

*Rinesa Osmanaj është studente e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë.