20 Mars 2019 / 14:37
Të enjten, opozita pritet të dorëzojë propozimet që do të burojnë nga negociatat në lidhje me të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike. Qëndrimet e tyre duhet të jenë konkrete dhe në format amendamentesh. VMRO-DPMNE-ja nuk bën të ditur nëse ka gati materialet që do të dorëzojë por thotë se grupet e punës janë duke punuar.
Lidhur me pyetjen se si do të veprohet nesër, të lëmë që grupet e punës të punojnë, kanë me të vërtetë një materie të dendur që duhet ta paraqesin para kolegëve të tyre të LSDM-së në grupet e punës, duke kyçur edhe BDI-në. Sërish do të them, se si do të pranohet nga ana e palës së shumicës, varet nga ata – deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga Qeveria thonë se edhe më tej ekzistojnë dallime kyçe mes pozitës dhe opozitës për këtë çështje por vlerësojnë se propozimi-ligji që tashmë ekziston, është zgjidhja më e mirë.
Po, ekzistojnë dallime kyçe dhe serioze mes opozitës, përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë. Siç e dini, opozita kërkon që PSP-ja të jetë njësi e veçantë në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe jo prokurori e veçantë, siç është vlerësimi i Qeverisë. Dallimi tjetër thelbësor është rreth të ardhmes së hetimeve që janë në rrjedhë, procedurat para-hetimore dhe akt-paditë që janë ngritur pas 18 muajsh nga dhënia e materialeve. Për këto dy çështje negociohet por definitivisht për ne si Qeveri, propozim-ligji është zgjidhja më e përshtatshme dhe vlerësojmë se duhet të zbatohet pa zvarritje – tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Takimi i radhës i grupeve të punës të partive politike për të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike duke pasur për bazë ligjin për Prokurorinë Themelore do të mbahet të premten.
Fatlume Dervishi
Loading…