Problemi me energjinë elektrike, familjes Vishesella ia humb 800 litra qumësht (Video)

Problemi me energjinë elektrike, familjes Vishesella ia humb 800 litra qumësht (Video)

Problemet me energji elektrike i sollën dëme një fermeri nga fshati Ribar i Vogël i Lipjanit. Pos qindra litrave qumësht që shkuan dëm, rreziku ishte që të humbiste edhe stallën me 30 krerë lopë.

Problemeve të energjisë elektrike ia pa sherrin familja Vishesella nga fshati Ribar i Vogël i Lipjanit. Ata humbën rreth 800 litra qumësht të grumbulluar nga lopët e tyre. Mentor Vishesella edhe pse thirri KEDS-in mbi 84 herë për ta ndalur rrymën, ai nuk mori asnjë përgjigje nga ta.

“Me datën 30 të muajit prill kamë bërë thirrje telefonike 86 herë në KEDS në Prishtinë, ata nuk ma kanë hapur telefonin. Jam detyruar të thirri stacionin policor në Lipjan, dhe i kam lutur ata ta ndalin rrymën sepse dy lini kanë pasur rrymë e për ata që e njohin problemin, monofaza është bërë 380 e nuk e kanë ndalë rrymën”, thotë për RTV Dukagjinin, Mentor Vishesella.

Madje, nga frika se mund të digjej e gjithë stalla me 30 krerë lopë, fermeri thirri edhe policinë.

Edhe kompanisë e cila bashkëpunon me këtë familje fermerësh, iu desh të kthehen duarbosh.

Ky fshat ka kohë që ballafaqohet me problemet me energji elektrike. Kryetari i fshatit, thotë se vazhdimisht janë ankuar për këtë, por asgjë nuk është ndërmarrë.

“Probleme me energjinë elektrike ne kemi gjithmonë. Nëse bie shi apo frynë erë ne ballafaqohemi me probleme të tilla. Po digjen mjetet e amvisërisë, bizneseve etj. Ne jemi ankuar por deri tani asgjë”, deklaroi Kryetari i fshatit Ribar i Vogël.

Fermeri ka bërë padi për këtë dëme, ndërsa RTV Dukagjini, përkundër përpjekjeve, nuk arriti të siguroj një përgjigje nga KEDS. /Telegrafi/

TAGS