Problemi i zyrtarizimit të emrave të shkollave është penguar dhe vazhdon të pengohet nga çështja politike. Më herët ish ministri i arsimit Pishtar Lutfiu ka thënë se kriza politike dhe formimi i Qeverisë se re ka lënë pezull përfundimin e riemërimit të shkollave, kryesisht shkollave që janë propozuar emra të figurave shqiptare. Por, edhe pas zgjedhjes së Qeverisë së re, ku edhe u shkarkua Lutfiu dhe në këtë institucion u emërua nga rradhët e LSDM-së, Renata Deskovska, nuk janë marrë masa, për të ndryshuar emrat e vjetër të shkollave, si në komunën e Çairit, në Shkup, Dibër, etj, shkruan Almakos.
Të kontaktuar nga Almakos, përfaqësues të shkollës “Zdravko Çoçkovski”, si dhe nga Komuna Dibër, informojnë se edhepse janë bërë të gjitha dokumentet për zyrtarizimin e emrit të shkollës së mesme në “28 Nëntori”, një përgjigje konkrete nuk është marrë nga ana e ministrisë së arsimit dhe shkencës.
“Është zgjidhje politike emri i shkollës. Procedura ligjore dhe procedura nga ana e shkollës tonë janë të kryera në këshill të shkollës, të arsimtarëve edhe në këshillin të Komunës, por edhe në votim në badenter, të këshillit të komunës, ka kaluar. Pra, është dërguar kërkesa në ministrinë e arsimit. Pëlqim për statusin e emërimit të shkollës jep ministria. Ne duhet të jemi të vedëdijshëm se është një ligj, në Vetqeverisjen Lokale, ku në afat brenda 60 ditëve, nuk merr përgjigje, ajo merret si positive. Ne nuk pritëm 60 ditë, por pritëm 90 ditë. Pra, u vendos si nga shkolla ashtu edhe komuna, por për t’u ndryshuar emri i shkollës varet nga ministria”, tha Shaban Allajbegu, sekretar në shkollën e mesme, në Dibër, për Almakos.
Allajbegu shtoi se edhe pse kanë dërguar një kërkesë të dytë, akoma kanë mbetur pa përgjigjë nga ana e ministrisë.
Emri i shkollës “Zdravko Çoçkovski”, mbetet në dëftesat e nxënësve dhe regjistrin qëndror, ndonëse është bërë përpjekje për ta vënë emrin “28 Nëntori”, ku edhe është ngjitur pllakatë në hyrje të shkollës, por kjo mbetet formale e jo zyrtare.
Nga ana e Komunës së Dibrës thonë se të gjitha procedurat janë realizuar, nga ana e komunës, vetëmse pritet miratimi nga krahu i ministrisë së arsimit dhe shkencës.
“Sa i përket çështjes së emrit, të gjimnazit, në Dibët, të gjitha procedurat normative – ligjore janë të respektuara. Ky propozim i ka kaluar të gjitha filtrat, nga këshilli i shkollës, i drejtuesve të gjimnazit. Në kuadër të institucioneve edhe këshilli komunal dhe komuna në përgjithësi, ka dhënë mendim pozitiv. Kërkesa është drejtuar në Ministrinë e Arsimit. Në bazë të bisedave dhe takimeve që kemi patur me përfaqësuesit e kësaj ministrie, ata kanë patur mirëkuptim dhe ne presim që në një afat sa më të shpejtë të na japin përgjigjen pozitive”, tha Ylli Mirzo, nga Komuna Dibër, për Almakos.
Ai shtoi se edhepse të gjitha procedurat nga ana e komunës janë realizuar, por riemërimi i shkollës pengohet edhe kësaj here nga procedura e zgjedhjeve lokale.
“Gjatë kësaj periudhe në Maqedoni, siç edhe e dijmë gjatë viteve ka ndodhur disa procese zgjedhore, edhe në kuadër të saj, kur ka procese zgjedhore shumë procedura ndërpriten, pasi edhe ligji i zgjedhjeve i ndalon disa procedura që të zhvillohen. Ne shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve lokale të ndërmerret procedura për riemërin e shkollave, ku edhe presim pëlqim që për vendosjen e emrit të ri, të gjimnazit tonë”, tha Mirzo, nga komuna Dibër.
Ai tha për Almakos, se në moment kur parlamenti shpall zgjedhjet, në këtë rast 70 ditë para që i shpalli kryetari i parlamentit, gjatë kësaj periudhe të gjitha procedurat që i parasheh ligji, ndalohen, ndërsa funksionimi normal i komunës, nuk ndalohet.
Janë vendosur tabela nëpër shkolla me emrat “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”, por nxënësit e këtyre shkollave dëftesat vazhdojnë t’i marrin me emrat zyrtarë, ashtu siç jepen edhe të gjithë dokumentet tjera të lëshuara nga këto shkolla.
Mbetet prioritet edhe tejkalimi i zgjedhjeve lokale, ku edhe pritet që brenda dy javëve të fillohet me fushatat zgjedhore, për t’u kryer shumë punë që kanë mbetur pezull dhe nuk do të mund të lëvizet deri në zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
Delvina Kërluku
Almakos.com