Procedohen 84 persona nga protesta e djeshme e opozitës

Procedohen 84 persona nga protesta e djeshme e opozitës

 

Policia e Shqipërisë ka pas protestës së djeshme të opozitës në Tiranë, ka proceduar ndaj 84 personave, 50 nga ta të arrestuar, për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Policia thotë se dje rreth orës 18:30 subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë e vijuan në rrugën “George W. Bush”, përballë institucionit të Parlamentit të Shqipërisë. Më pas tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, këtu pa marrë leje në organet kompetente.

“Gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas në rrugën ‘George W. Bush’ si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe sidomos tek Kryeministria e Parlamenti me bomba molotov punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim. Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave molotov kanë mbetur të plagosur 16 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës. Në të gjitha ambientet e përmendura protestuesit si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme si tek dyert dhe ambientet e Kryeministrisë, të selisë së Kuvendit, tek selia e seancave parlamentare, tek dyert e Ministrisë së Brendshme, kane thyer e shkatërruar ambientet e disa subjekteve private e publike, si dhe tek godina e Kryeministrisë kanë hedhur bojë në pjesën e murit nga ana e Bulevardit. Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 50 persona, për kryerjen e veprave penale ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Goditje për shkak të detyrës’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Shkatërrimit të pronës me zjarr’ dhe ‘Shkelja e rregullave mbi lendet plasëse, djegëse dhe radioaktive’. Janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’, tre shtetasit G.B., F.N. e G.S., banues në Tiranë. Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 31 persona për veprat penale ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Goditje për shkak të detyrës’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’ dhe ‘Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive’”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas tyre, grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e persona të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme në këtë protestë të dhunshme.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

TAGS