3 May 2018 / 16:12
Mësimdhënësit e ciklit të ulët të arsimit fillor kanë përshëndetur reduktimin e lëndëve dhe prezantimin e programeve të reja mësimore për nxënësit e klasave të dyta dhe të treta, nga dikasteri i Arsimit. Mirëpo ata shprehen të paqartë se në cilat shkolla do të realizohen këto plane dhe programe mësimore.
A do të jemi ne të përfshirë në atë pilot ose jo, aty është problemi se nëse vetëm disa shkolla merren parasysh si pilot e ne të vazhdojmë përsëri me Kembrixh e me lëndët që i kemi pasur, pak do të jetë problem se ato ndryshime kur startojnë duhet të startojnë për të gjithë.. Mua vitin e ardhshëm që do të më vijnë nxënësit do t’i kem 33 në klasën e 2, nuk do të mundem të mbërrijë çdo nxënësi t’i afrohem dhe t’ia shkruaj nga një shkronjë në fletore – thotë Ferdeze Fejzullahi, mësuese.
Mendoj se këto orë që i kanë shkurtuar është një nismë e mirë…Janë hequr orët plotësuese e shtuese që ishin formalitete, mendoj se do jetë mirë, do të jetë një lehtësim edhe për nxënësit – thotë Hamit Fetai, mësues.
Këto ndryshime nga Ministria e Arsimit u paraqiten si pilot projekt që do të zbatohet në shkolla të caktuara por për të cilat akoma nuk është njoftuar.
Ato plan programe të reja mësimore që u promovuan para disa muajsh janë plane që do të pilotohen në disa shkolla, jo në të gjitha – kishte deklaruarm herët Renata Deskovska, ministre e Arsimit.
Ndërkohë nga SASHK-u thonë se kushtet e shkollave në mjediset rurale vështirë se do të lejojnë zbatimin e këtij projekti.
Është keq të bëhen reforma administrative, të themi në ndonjë kabinet të Ministrisë së Arsimit ose byrosë për zhvillim dhe menjëherë e njëjta të aplikohet ndërsa nuk mund ta dimë se çfarë rezultatesh do të ketë pastaj. Pilotimi është punë e mirë, Maqedonia ka mjedise rurale, mjedise që nuk i plotësojnë kushtet për arsim normal. Kështu që në mjediset e qytetit do të shohim se si do të funksionojë dhe sigurisht që do të ketë hapësirë për korrigjime për ato plane mësimore dhe programet deklaroi Jakim Nedellkov, SASHK.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bëjnë thirrje të gjithë mësimdhënësve dhe personave të tjerë kompetent që në mënyrë aktive të kyçen në proces nëpërmjet vërejtjeve dhe rekomandimeve me qëllim përmirësimin e këtyre programeve mësimore.
Melihate Rustemi