Projektet e mbetura pezull dhe ndikimi i izolimit tek artistët shqiptarë

Projektet e mbetura pezull dhe ndikimi i izolimit tek artistët shqiptarë
Tash esht Koha

Egla Xhemali – Periudha e pandemisë ka lënë shumë projekte të papërfunduara. Produksione të reja muzikore që ishin në punim e sipër, koncerte të parealizuara, evente që kanë lidhje me të bukurën, qëllime ambicioze për në ekran dhe ekspozita, që sapo të mbarojë kjo gjendje do të bëjnë xhiron e botës. Artistët zbulojnë për “Gazeta shqiptare”, të gjitha projektet e mbetura pezull, qasjen që kanë ndaj asaj që po ndodh në Shqipëri, por jo vetëm, duke shpresuar për një të nesërme ndryshe!





Endri Prifti
Përshëndetje të gjithëve! Situata sa po vjen dhe po vështirësohet më shumë për artistët e vërtetë, jo për 80% e ashtuquajtur VIP-a. Për ata/ato nuk ka asnjë ndryshim jeta, përveç fatkeqësisë së pandemisë, që goditi gjithë njerëzimin. Mendoj se nuk është bërë mirë manaxhimi i buxhetit shtetëror, për pagën e luftës. Kur thua jemi në gjendje lufte, të gjithë po luftojmë, i gjithë populli duhet parë njësoj. Nuk e kam fjalën vetëm për artistët, por për të gjithë popullin shqiptar. Ai që ka paguar taksa, thonë këta në shtet, të marrë pagën e luftës, ndërsa pjesa tjetër e popullit të mbeten pa ngrënë, thonë po këta. Unë e shikoj krejtësisht të gabuar këtë shpërndarje page lufte, pa parë në asnjë mënyrë politikisht gjendjen e krijuar nga pandemia. Projektet tona u ndërprenë direkt me virusin. U kthyem nga SHBA-ja nga një tur koncertal, ku nga 6 koncerte në 6 shtete të Amerikës, mundëm të bënim vetëm një koncert. 5 koncerte të rezervuara të gjitha sallat, u anuluan. Kishim në dorë, në disa studio diskografike një album dhe njëkohësisht 3 këngë para verës, jo pjesë e albumit. Të gjitha për momentin janë të ndërprera. Të shohim edhe pak si do të shkojë situata se edhe nuk është momenti të flasim shumë për muzikën. Unë i uroj të gjithë popullit të kenë shëndetin në radhë të parë, të kalojë sa më shpejt kjo pandemi, duke u kujdesur sa më shumë! Qeveria të shohë gjithë popullin njëlloj, jo ‘njeri i njerkës e tjetri i krushkës’. Në fakt, sa i përket produksioneve njerëzit nuk e humbin asnjëherë besimin tek ne për këngët që do të nxjerrim sa më shpejt dhe që do të dëgjohen gjithë jetën, nga më i madhi deri te më i vogli. Shëndet e mbarësi, ju uroj të gjithëve pa përjashtim!

Besa Dauti
Tani për tani lundrojmë në këtë situatë dhe arti rrjedh magjishëm, kur punohet në këtë “pranverë pandemie”, që na lidh me universalitetet e të qenit njerëzor. Durim këtë muaj! Me art kemi ndihmuar kultivimin e jetës së bukur dhe normale. Gjërat do të përmirësohen dhe do të vazhdojmë me punë, saktësisht, me reflektimin e vetvetes edhe pse ende jemi të shpërqendruar nga shtrirja e krizës. Në krijimin artistik vëzhgoj situatën në komunikimin teknologjik, ku ngadalë hapen punët të rifilloj me projektin e përbashkët me dizajnere nga Gjermania, ku duhet të realizohet këtë vit organizimi dhe përpunimi i projektit. Ndërkohë, po merrem me realizimin e veprave të porositura me tema dhe karakteristika të vendeve të ndryshme. Arti është me kërkesat e veta specifike. Në hapësirat e punës si kuratore në Galerinë e Arteve kam projekte, që kanë mbetur pezull dhe shpresoj që deri në fund të vitit të realizohen!

Atalanta Kërçyku
Unë, në fakt, kam udhëtuar tërë periudhën e muajve të parë, të këtij viti. Në fillim të shkurtit ndodhesha në Gjeorgji për një kontratë, kur fillova të shikoja njerëz me maska në aeroporte. Atë kohë bënim shaka e nuk mendonim sesa serioze do të bëhej gjendja. Isha në Londër, kur dëgjova që do të mbylleshin kufijtë, lashë çdo gjë dhe u ktheva. Minimumi qëndrimi me familjen do të ishte qetësimi im. Pas karantinimit në shtëpi, në Tiranë, pas 14 ditësh munda të bashkohesha me familjen time. Planet që më bllokoi qenë të shumta. Kontrata modelingu me shuma të kënaqshme, udhëtime për kënaqësi e shumë të tjera. Më së shumti la pa realizuar një ide televizive, që do të niste këtë periudhë. Por, duhet të jemi mirënjohës e të numërojmë të mirat që kemi, jo të këqijat. Urojmë të kalojë sa më shpejtë e të ketë sa më pak të prekur!

Aurel Thëllimi
Disa nga punët e mia kanë ngelur pezull. Do të doja shumë të fillonte jeta normale, pasi ne artistët kemi ngelur në udhëkryq! Materiali më i afërt, që mendoj të dali do të jetë një projekt me motive të Jugut.

Isida Mollaymeri
Unë bashkë me mikun tim, Eraldo Rexho do të zhvillonim panairin e kozmetikës “Beauty Fair Albania”. Ashtu sikurse vjet dhe këtë vit e kishim menduar ta organizonim në të njëjtën periudhë, nga dt 16-17 maj. Panairi do të zgjaste 3 ditë, përkatësisht të premten, të shtunën dhe të dielën. Për shkak të situatës e kemi shtyrë për vitin e ardhshëm. Këtë vit, madje, kishim dhe projektin “Fashion Day Tirana” me Jonida Maliqin. Si gjithmonë, hapjen e kemi kremtuar me VIP-a, bloger, make-up artist. Edhe këtë vit imazhi i panairit, i cili do të shtyhet për një moment tjetër do të jetë Adrola Dushi.

Majlajdo Gala
Në të vërtetë unë pata fat, pasi projektin, që isha duke punuar, arrita ta përfundoja dhe e kam publikuar tashmë. Projektet e radhës akoma nuk i kam filluar, sepse duhet të stabilizohet pak gjendja.

Rati
Më kanë ngelur pezull katër këngë, që duhet të kishin dalë, por karantina më bllokoi çdo gjë, kështu që do të presim s’kemi çfarë të bëjmë. Ndërkohë, janë shtyrë të gjitha koncertet dhe gëzimet familjare në Shqipëri dhe përtej kufijve. Shpresojmë që gjithçka të marrë fund sa më shpejt dhe natyrisht të kemi shëndet!

Anjeza Branka
Kam bërë një këngë këtu në Shqipëri. E kam të mbaruar. Kisha xhirimet për të bërë në New York, por më mbetën pezull. Tani pres që të hapen rrugët dhe të shkoj ta realizoj ose ndoshta mund ta bëj dhe këtu. Kuptohet që nuk ia vlen të bësh plane se asn- jëherë nuk ecin.

Tash esht Koha
TAGS