Pronarët e lokaleve në Tiranë, nuk i binden urdhrave

Pronarët e lokaleve në Tiranë, nuk i binden urdhrave

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrollit të territorit, për zbatimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar të hapur në funksionim, një lokal bar-kafe, në rrugën “Niko Avrami”.

Më datë 27 Mars lokali është konstatuar i hapur për herë të parë dhe pronari është ndëshkuar me masë administrative.

Administratori i lokalit shtetasi F.B, është konstatuar përsëri duke mbajtur hapur lokalin dhe duke i shërbyer klientëve dhe në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 të datës 15 Mars është ndëshkuar përsëri, me mbyllje të aktivitetit për 6 muaj.

Një javë më parë, po nga shërbimet e Komisariat të Policisë Nr. 4, një tjetër lokali, në pronësi të shtetases R. F., në rrugën “Sadik Petrela”, iu bllokua aktiviteti për 6 muaj, pasi u konstatua për herë të dytë i hapur, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Që prej daljes së Aktit Normativ e deri tani, në të gjithë vendin janë ndëshkuar 207 administratorë lokalesh që kanë ushtruar aktivitetin në kundërshtim me këtë Akt.

Policia e Shtetit apelon për respektim të masave kufizuese dhe fton qytetarët që në rast se konstatojnë lokale të hapura apo grumbullime personash, si dhe qytetarë që thyejnë vetëkarantinimin, të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, pasi në këtë mënyrë kontribuojmë për të parandaluar përhapjen e COVID-19. /tvklan.al