Propozim-ligji për realizimin e interesit publik në kulturë, prej sot është në dispozicion në RVEN – (Regjistri i Vetëm Elektronik Nacional i Regjistrimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut) dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës.
Propozim-ligjin e përpiloi Grupi i Punës i themeluar me Aktvendimin e ministrit të Kulturës, dhe në të ishin përfshirë përfaqësuesit e sindikatave, MSHIA (Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës), përfaqësuesit e institucioneve kombëtare dhe shoqëria civile. Në përbërjen e Grupit të Punës ishin:
Zllatko Teodosievski, i punësuar në institucionin kombëtar, kryetar
Magdalena Dikovska, udhëheqëse e Sektorit për Çështje Normative Administrative dhe të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Ngjashme në Ministrinë e Kulturës, anëtare
Frosina Gjorshovska, udhëheqëse e Departamentit për Çështje Administrative në Ministrinë e Kulturës, anëtare
Biljana Tanurovska-Qulafkovski, përfaqësuese e skenës së pavarur kulturore, anëtare
Ivana Vaseva, përfaqësuese e skenës së pavarur kulturore, anëtare
Valentina Pocevska, përfaqësuese e SKRM-së, e punësuar në institucionin kombëtar, anëtare
Aleksandar Stojçevski, përfaqësues i SKRM-së, i punësuar në institucionin kombëtar, anëtar
Në Propozim-ligjin për realizimin e interesit publik në kulturë, Grupi i Punës punoi nga muaji prill i vitit 2018 deri më sot, ishin mbajtur dy debate publike – në muajin shtator dhe muajin dhjetor të vitit 2018, ndërsa ishin mbajtur edhe takime të shumta me të gjithë faktorët e interesuar në fushën e kulturës, kulturën kombëtare dhe jashtëinstitucionale.
Propozim-ligji i publikuar nëpërmjet RVEN-së është edhe një mundësi për propozime konstruktive për të përmirësuar tekstin e ligjit të ri për kulturë, të cilat do të shqyrtohen nga Grupi i Punës para përcaktimit përfundimtar të Propozim-ligjit dhe dërgimin e tij në procedurë qeveritare dhe parlamentare.
Zbatimi i ligjit aktual dhe problemet që ishin evidentuar gjatë zbatimit të tij, shumë herë sugjeruan në nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e tij, dhe në këtë mënyrë Ligji për kulturë i vitit 1998 deri më tani është ndryshuar 16 herë.
Me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës, për periudhën 2018-2022 u përcaktua nevoja për të miratuar një ligj të ri për kulturën, përkatësisht u imponua nevoja për të bërë ndryshime më thelbësore dhe konceptuale të rregullimit normativ të realizimit të interesit më të gjerë në kulturë, që do të mundësojnë një bazë ligjore për zhvillimin dhe avancimin e kushteve për krijimin artistik dhe kryerjen e aktiviteteve në kulturë.
Me miratimin e këtij ligji do të bëhen ndryshime të shumta thelbësore dhe konceptuale, kryesisht me të kultura do të përkufizohet si fushë me interes publik, dhe jo me interes kombëtar.
Propozim-ligji ofron një përkufizim të ri të artistit të pavarur, kategori për të cilën do të mbahet regjistër dhe atyre shfrytëzuesve të mjeteve buxhetore do t’u mundësojë përfitime për pagesën e kontributeve për sigurimin shëndetësor, pensional dhe social. Risi është se përveç artistëve, të drejtë për përfitime nga buxheti për këto kontribute të marrëdhënies së punës është propozuar të kenë edhe personat që kryejnë punë profesionale në formën e profesionit, të tilla si menaxherët në kulturë, kuratorët dhe ekspertët në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Me këtë ligj do të përpilohet procedura për vazhdimin e decentralizimit në kulturë (që deri më tani nuk ishte rregulluar) përkatësisht transferimin e kompetencave të të drejtave themeluese të institucioneve kombëtare prej nivelit shtetëror në nivelin lokal, që paraqet njërin nga parakushtet themelore për një reformë esenciale të kulturës dhe është një angazhim i përcaktuar në Strategjinë për Zhvillimin e Kulturës për periudhën e ardhshme.
Është bërë rishqyrtimi i së drejtës së “kompensimit të pensionit” të artistit në pension dhe punonjësit profesionist në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të cilët kanë fituar çmime shtetërore, si dhe institutit “ambasadorë të kulturës” – dispozita që nuk kontribuojnë në zhvillimin e kulturës, ndërsa paraqesin intervenime të mëdha fiskale të Buxhetit të RMV-së, në fushën e kulturës, dhe në përputhje edhe me Strategjinë propozohet që këto përfitime të shfuqizohen.
Dispozitat për marrëdhënie pune në kulturë dhe statusi i artistëve dhe profesionistëve të punësuar në fushën e kulturës siç janë tani në Ligjin për kulturë, si “dhënës të shërbimeve” dhe personave administrativë dhe personave ndihmës teknikë, u ripërpiluan, por këto edhe më tutje janë të harmonizuara me rregulloret për të punësuarit në sektorin publik. Në ligjin e ri, termi “dhënës të shërbimeve” zëvendësohet me termin “bartës të veprimtarisë”. Si çështje specifike për kulturën propozohen që të rregullohen:
përkufizimi i dy kategorive të bartësve të veprimtarisë në kulturë (artistë dhe profesionistë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore).
Me Propozim-ligjin rregullohet audicioni si obligim gjatë themelimit të marrëdhënies së punës për herë të parë, pa përvojë pune, gjatë lëvizjes ose avancimit. Parashihen ndryshime në pjesën e riaudicionit, ndërsa mënyra, afati kohor dhe kriteret për zbatimin e procedurës për kontrollin e cilësisë do të rregullohen me aktin e përgjithshëm të cilin e miraton Këshilli Drejtues, me propozim të drejtorit, ndërsame pëlqimin paraprak të Ministrisë së Kulturës.
Me ligjin e ri do të krijohet një bazë ligjore për financimin më efikas, më të përgjegjshëm dhe më transparent të interesit publik në kulturë. Parashihet që në vend të konkursit të deritanishëm vjetor, financimi të kryhet në bazë të dy konkurseve të rregullta (shtator dhe mars); vendimmarrja për financimin e projekteve në fushën e kulturës të kryhet në bazë të vlerësimit të vlerësuesve, të cilët do të emërohen me anë të thirrjes publike. Puna e vlerësuesve të projekteve të dorëzuara në konkurset do të rregullohet me rregulloren të cilën e miraton ministri i Kulturës; dorëzimi i fletëparaqitjeve në konkurset e Ministrisë së Kulturës duhet të jetë në formë elektronike; institucionet kombëtare të dorëzojnë program vjetor të punës i cili do të përpilohet në bazë të planifikimit të buxhetit për periudhën prej tre vjetësh dhe do të zbatohet përmes programeve vjetore. Për pranimin e programeve vjetore të institucioneve kombëtare, propozim të ministrit do të japin komisionet e veçanta profesionale të cilat do t’i formojë ministri.
Në konkurset për shfrytëzuesit e tjerë do të publikohen prioritetet, buxheti sipas veprimtarive dhe kriteret e përgjithshme në bazë të së cilave do të mund të bëhet përzgjedhja e projekteve në fushën e kulturës me interes publik, ndërsa kriteret dhe masat matëse do të rregullohen me rregulloren të cilën e miraton ministri i Kulturës.
Me respekt,
Ministria e Kulturës