24 June 2018 / 16:15
Disa persona me maska në protestën e mbrëmshme para Kuvendit kanë gurëzuar kordonin policor e më pas janë tërhequr drejt parkut përball Kuvendit. Pas ngjarjeve janë arrestuar nëntë persona, ndërsa protesta në pjesën më të madhe ka kaluar e qetë.
MPB
“Është kryer kontroll tek më shumë persona në disa lokacione në qendër të Shkupit. Janë arrestuar nëntë persona tek të cilët janë gjetur mjete piroteknike, grusht të hekurt, maska, maska mbrojtëse me filtër dhe gjësende tjera”.
Pas protestës, me ngjyrë është spërkatur selia e VMRO-DPMNE-së. Nga partia opozitare për incidentin e akuzuan LSDM-në, ku sipas VMRO-DPMNE-së, qëllimi ka qenë që partinë opozitare ta fusin në skenarë të dhunshëm, ndërsa incidenti të tregohet si pakënaqësi ndaj partisë.
Sipas informatave tona të pakonfirmuara, incidentit të mbrëmshëm i ka parapri një takim para disa ditëve në një kafene të njohur në Shkup, në të cilin ka marrë pjesë një kryetarë nga radhët e LSDM-së, punonjës shumë i afërt në kabinetin e një kryetari tjetër dhe disa persona me dosje policore. Sipas informatave tona jozyrtare, këta persona janë bindur që të infiltrohen në protestat rreth emrit – tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Disa media publikuan filmime ku shihet se një pjesë e grupit hedh pushkaliqe drejt policisë, ndërsa më pas shihet tentim për sulm ndaj gazetarit Lupço Zlatev.
Përnjëherë një qytetar deshi të më largoj dhe më tha mos filmo. Tani parashtrohet pyetja- pse dikush që është protestues i dhunshëm siç disa media donin ta tregojnë, do të më pengonte mua ta filmoj policinë. Me siguri bëhej fjalë për person të infiltruar, këtë nuk mund ta pohoj me siguri, por me siguri ishte dikush i infiltruar nga policia në turmë – u shpreh Lupço Zlatev, gazetarë.
Nga LSDM hedhin poshtë akuzat dhe e dënojnë sulmin. Bëjnë thirrje që institucionet ta zbardhin rastin.
LSDM
“Si parti me përgjegjësi, hedhim poshtë çfarëdo lidhje me rastin në fjalë. LSDM assesi nuk mund të jetë fajtore për ndasitë në partinë opozitare”.
Selinë e DPMNE-së e ngjyrosi VMRO-ja- ky është qëndrimi i partisë Maqedonia e përbashkët e Janko Baçevit.
Maqedonia e përbashkët
“Maqedonia e përbashkët me qëllim sa më të mirë këshillon VMRO-DPMNE-në të ndaloj duke kërkuar të zbulohen personat që mbrëmë hodhën ngjyrë ndaj selisë së tyre pasi do ta shohin të vërtetën e tmerrshme se selinë e DPMNE-së ka ngjyrosur VMRO-ja.”
Nga VMRO-DPMNE sot nuk deshën të zbulojnë nëse sulmi ndaj selisë është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe nëse të njëjtat i kanë dorëzuar në polici, nëse i posedojnë incizimet e këtilla.
Alsat-M