Ministria për Sigurinë e Shtetit për dekada dokumentonte gjendjen në vend. Raportet e saj të japin të kuptosh, se përse diktaturës së SED-së i shpëtoi duarsh pushteti më 1989 dhe në fund Muri i Berlinit u shemb.
“Shumë sekret!” shkruhet në shkresën e zverdhur lehtë të 8 tetorit 1989 lidhur me “gjendjen aktuale të politikës së brendshme në RDGJ”.
Ditë ma parë regjimi komunist me kreun e shtetit dhe të partisë, Erich Honecker në krye kishte festuar 40 vjetorin e Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Por në këtë raport prej gjashtë faqesh të Ministrisë për Sigurinë e Shtetit – shkurt Stasi -nuk bëhet fjalë për festën. Përkundrazi: në të shprehet droja, se “shteti socialist dhe rendi shoqëror në RDGJ ndodhen në rrezik serioz”.
Se sa me vend ishte ky shqetësim, kjo u tregua një muaj më vonë: Më 9 nëntor ra muri i Berlinit. Fundi i RDGJ-së tashmë ishte çështje kohe, asnjë vit nuk kalon deri në ribashkimin e Gjermanisë më 3 Tetor 1990. Në këtë kohë Stasi i përkiste historisë. Kjo strukturë u shpërbë nën presionin e aktiviteteve të të drejtave të njeriut gjatë revolucionit paqësor.
Ironia e historisë: Të dhënat për Exitus-in që po afronte gjenden në raportet sekrete të SED-së (Partia e Bashkuar Socialiste e Gjermanisë), të cilat tashmë janë përfshirë në librin “RDGJ në vështrimin e Stasi-t” për vitin 1989.
Në informacionin “Information Nr. 519/89” të 5 dhjetorit 1989 përshkruhet në mënyrë të detajuar, se si 50 opozitarë depërtojnë në zyrat e Stasi-t në qarkun e Leipcigut.
Sipas këtij raporti ata e mbajnë të pushtuar objektin “në pikat nevralgjike të tij”. Pasoja: “Zyra e qarkut nuk është e aftë të veprojë.” Forcat aktive janë grupimet me emra programatikë si: Nisma për Paqen dhe të Drejtat e Njeriut (IFM), Forumi i Ri (NF), Fillimi Demokratik (DA). Emra, që në vjeshtën e vitit 1989 shfaqen gjithnjë e më shpesh në protokollet e Stasi-t.
Protagonistët përshkruhen në zhargonin tipik të Stasi-t. Bëhet fjalë për “funksionarë të kishës të njohur si reaksionarë dhe të tjera forca armiqësore opozitare”. Njerëz si Peter Grimm, bashkëthemelues i IFM dhe redaktor i gazetës në ilegalitet “Grenzfall” (gjendja në kufi). Një ngjarje kyç për asokohe 24 vjeçarin ka qenë reagimi i RDGJ-së ndaj mposhtjes brutale të lëvizjes demokratike në Kinë: Sundimtarët në Berlinin Lindor u solidarizuan në mënyrë demonstrative me komunistët në Pekin.
Në nëntor 1989 Stasi ishte i preokupuar vetëm me ruajtjen e ekzistencës së vet, thotë Daniela Münkel. Kjo përpjekje e dështuar pasqyrohet edhe në raportet e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit. Kur muri qe i hapur prej pesë ditësh, në një raport Stasi shkruan për “gjendjen aktuale” duke bërë madje reklamë për çështjen e vet: “Në diskutime të shumëllojshme punonjësit e Ministrisë për Sigurinë e Shtetit shprehin vullnetin e tyre për të bashkëpunuar në mënyrë aktive për mbështetjen e kursit të ndryshimeve dhe rivendosjen e raportit të besimit mes partisë dhe popullit.”
Por tashmë për këtë është tepër vonë. Kthesa është e pandalshme. Konkluzioni i historianes Daniela Münkel: “Në gjysmën e parë të vitit 1989 Stasi ende i ka të gjitha nën kontroll.” Kjo ndryshoi, kur opozita e RDGJ-së u shndërrua në lëvizje masive. Stasi përpiqet të shpëtojë çfarë të mundet dhe në fund Ministria për Sigurinë e Shtetit kthehet në kronisten e dështimit të vet”./DW