Pse biznesmeni nga Ohri i dhuroi orën “roleks” kreut të BFI-së?

Pse biznesmeni nga Ohri i dhuroi orën “roleks” kreut të BFI-së?

Reisi Sulejman Rexhepi ka blerë dy apartamente afër Liqenit të Ohrit për gjysmë milion euro nga kompania e afërt me Bozho “Remis”!

 

Njeriu i parë i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, këtyre ditëve është bërë aktual me orën e dorës që iu është dhënë dhuratë nga pronari i hotelit “Gorica” në Ohër. Sipas të dhënave nga institucionet kompetente, aksionar i shumicës së aksioneve të ShA” Ineks Gorica” është biznesmeni nga Ohri Bozho Iloski, i cili njëherit është edhe pronar i kompanisë ndërtimore “Remis”. Njëherit ai ka lidhje të ngushtë familjare me njeriun e parë të kompanisë “Gradezhnik”, Toni Iloski, i cili, sipas dokumenteve që i siguroi “Fokus”, në vitin 2015 ka nënshkruar marrëveshje me BFI-në e përfaqësuar nga Rexhepi, për shitjen e dy apartamenteve në kompleksin hotelerik “Ineks Gorica” për shumën prej 510.000 euro. Për këtë rast është ngritur padi penale deri te Prokuroria Publike, transmeton Almakos.

 

Shkruan: Vllatko Stojanovski

 

“Le të bëhet publike, nuk ka problem. Orën e kam dhuratë, e kam nga një mik që e njoh prej kohësh. Ai është pronar i hotelit ‘Gorica’ në Ohër. Ai është maqedonas me nacionalitet, ortodoks me fe. Kaq, nuk dua të sqaroj më shumë…”. Këtë gjë këtyre ditëve e deklaroi kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, pasi që gazetarja brenda intervistës iu duk interesant ora në dorën e tij të majtë dhe në mënyrë direkte e pyeti se sa para e ka blerë? Paraqitja e këtillë publike e hapi çështjen-kush është ai biznesmen i cili Rexhepit i ka dhuruar orë të shtrenjtë dhe këto dy a po i lidh vetëm miqësia ose këtu fshihet edhe diçka tjetër?

“Fokus” siguroi dokumente të cilat kreun e BFI-së e çojnë në drejtimin e lidhjes biznesore me kompaninë të afërt me njeriun që në mënyrë indirekte përmendet si mik i vjetër. Bëhet fjalë për biznesmenin nga Ohri, i cili është bashkëpronar i kompleksit të hoteleve “Ineks Gorica” ku BFI tashmë disa vite posedon dy apartamente atraktive në vlerën prej gjysmë milion euro nëse merret parasysh çmimi i saj i shitblerjes. Pikërisht për këtë marrëveshje është ngritur padi penale deri te Prokuroria Publike ku përmendet se reisi në emrin e organizatës fetare ka bërë një marrëveshje të dëmshme në kundërshtim me aktet e BFI-së, edhe atë me çmim më të lartë nga vlera reale në treg.

 

 

AKSIONAR DOMINUES

 

 

“Ineks Gorica” njihet si një brend i ndërtuar qysh në kohën e ish Jugosllavisë, kur ky hotel ka qenë pjesë e zinxhirit të hoteleve jugosllovene të ashtuquajtura “Ineks” hotele. Pas pavarësimit të ish shteteve që kanë qenë pjesë e Federatës Jugosllave dhe nisjes së procesit të privatizimit ky subjekt është ndarë në më shumë subjekte juridike të cilat kryesisht e mbajnë emrin Ineks. Dhe kështu, në vend ky hotel bashkërisht me disa objekte tjera hotelerike dhe kampe në bregun e Ohrit kanë qenë pjesë e shoqërisë aksionare me shumë më pak aksionar individual, të cilët me kalimin e kohës u zhdukën nga libri i aksionarëve. Një pjesë prej tyre në të njëjtën kohë kanë ngritur proces gjyqësor për shitjen e hotelit “Cavtat” në Dubrovnik në korniza të privatizimit të “Ineks Gorica”, megjithatë rasti u mbyll pasi që Gjykata Themelore e Ohrit disa herë e hodhi poshtë padinë e tyre, transmeton Almakos.

Momentalisht, ky hotel është pjesë e SHA për shërbime, turizëm dhe tregti “Ineks Gorica” ku investimi i saj themelor është më shumë se 4.845.000 euro, gjegjësisht përmbi 95.000 aksione me vlerën prej 51 euro për aksion.

Sipas të dhënave të Regjistrit Qëndror të letrave me vlerë, këto aksione janë të shpërndara te pesë aksionar, prej të cilëve katër janë persona fizik dhe një është person juridik. Njoftimet që shoqëria aksionare i ka dërguar deri te Bursa e Maqedonisë zbulojnë se aksionari më i madh individual është biznesmeni nga Ohri, Bozho Iloski, i cili posedon 62.6 % të aksioneve, pas së cilës vijon mërgimtari maqedonas në SHBA Goce Bllazhevski me 23.3 % të aksioneve. Aksionarët tjerë posedojnë përqindje më të vogël të kapitalit aksionar.

Dokumentet e personit juridik tregojnë se person i autorizuar i shoqërisë aksionare, e formuar si subjekt në vitin 2006 është Aneta Bar, e cila njëherit është anëtare e Bordit udhëheqës të shoqërisë. Përskaj kësaj në këtë bord anëtar janë edhe Naxhi Sulejman, Silvana Nikolovska, Zoran Manev, Mimoza Filcevska, si dhe aksionari i shumicës Iloski dhe gruaja e tij Olgica Oloski, sipas së cilës para disa kohësh hoteli “Ineks Gorica” është ribrenduar në “Ineks-Olgica”. Në Bordin Mbikëqyrës të shoqërisë, detyra dhe obligimi i të cilës është që në modelin e këtillë të udhëheqjes të kryej kontroll dhe mbikëqyrje të punës së Bordit Udhëheqës, pjesë të saj janë Zhanko Siminoski, Ilsen Saioska-Palioska dhe Vllado Pecijareski. Në korniza të shoqërisë, funksionojnë disa nënshoqëri, prej të cilave njëra ka të bëje me hotelin e përmendur “Ineks Gorica” gjegjësisht “Ineks Olgica”. Nënshoqëria tjetër ka të bëje me autokompaninë “Gradishte” e cila futet në grupacionin e njëjtë. Megjithatë, aksionari shumicë në shoqëri Iloski, përmes kompanisë së tij ndërtimore “Remis”, e posedon hotelin fqinj “Park” i cili para disa viteve mbiu në vendin e hotelit të vjetër të përmendur si dhe shumë patundshmëri tjera. Ashtu si është e ditur, ky simbol i dikurshëm i Ohrit është rrënuar dhe në vend të tij është ndërtuar një objekt më i madh dhe luksoz i cili nuk funksionon si hotel klasik, por si kompleks apartamentesh.

 

 

DHJETËRA BASHKËPRONAR

 

 

Sipas të dhënave nga Regjistri Qëndror, Iloski është pronari dhe udhëheqësi i vetëm i kompanisë ndërtimore “Remis”, e themeluar në vitin 1995 për ndërtimin e ndërtesave banuese dhe jo banuese, me kapital fillestar prej 336.288 denar. Ashtu si përmendet në faqen zyrtare në internet të kompanisë, në mesin e klientëve të ‘Remis” është edhe kompania e Manastirit “Pelister” e Siljan Micevski e cila jeton sipas të hyrave që i merr nga SHA Elem për gërryerjen dhe transportin e qymyrit për nevojat e REK Manastir. Pastaj, në listën e klientëve të kompanisë ndërtimore nga Ohri janë shkruar edhe kompanitë “Granit”, “Elektroelement”, “Briliant”,” Ilinden”, “In Puma”, “Knauf”, “Rolomatik”, “Prospera”, “Ozon”,”Toplina”, “Galeb” dhe tjera, prej të cilave një pjesë e tyre kanë punuar në projekte publike në periudhën e kaluar.

Sipas Kadastrit të patundshmërive, “Remis” e Iloski është pronar e parcelës kadastre me numër 5972/3, e cila njëherit paraqet tokën ndërtimore prej 5.640 metra katror ku është ndërtuar objekt me hapësirë prej 3.464 metra katror. Ky është hoteli i ri “Park” e cila ka qëllimin A2-1, që sipas Rregullores për standarde dhe normativa për planifikim urban dhe Rregullores për bartjen e patundshmërive, paraqet “shtëpi banimi me oborr-të pavarura”. Përveç kësaj, kompania i posedon edhe parcelat fqinje në drejtim të Liqenit të Ohrit me numër 5972/27 dhe 5971/3, me hapësira prej 568 dhe 83 metra katror të cilat udhëhiqen si tokë ndërtimore e pandërtuar, që nënkupton se në këtë hapësirë në Planin Detal Urbanistik është shënuar një marketë ndërtimore. Për dallim prej hotelit “Park” ose më saktësisht objektit me apartamente të ndërtuar në vend të hotelit të vjetër “Park” i cili praktikisht ka vetëm një pronar, në kompleksin “Ineks Gorica” gjegjësisht “Ineks Olgica” e cila gjendet në parcelën me numër 5972/2 me hapësirë prej 2.740 metra katror dhe parcelën 5972/15 me hapësirë prej 1.123 metra katror, ka dhjetëra pronar të njësive banesore. Sipas të dhënave nga Kadastri i patundshmërive, në mesin e subjekteve që posedojnë njësi banesore në këtë kompleks me qëllim A2-1( shtëpi banimi me oborr- të pavarura, A4 ( banim i përkohshëm) ose B5-1 ( komplekse hoteli) janë ‘Remis’ si kompani, pronari i saj Iloski si person fizik dhe disa njerëz tjerë që e kanë mbiemrin Iloski.

Megjithatë, në mesin e pronarëve të njësive banesore dhe të hapësirës së përbashkët për shfrytëzim futen edhe disa kompani që gjenden në listën e klientëve të ‘Remis”, kryesisht edhe “Pelister” i Micevski, e cila vet posedon një pjesë të kompleksit të ndarë me parcelë të veçantë me numër 5972/21 me hapësirë prej 173 metra katror dhe njësisë banesore prej 80 katrorësh. Në mënyrë shtesë, bashkëpronar të një pjese të rëndësishme nga “Ineks Gorica” janë edhe kompania kërçovare “Margotri Grup” e Goran Tripunoski dhe kompania nga Ohri “Ekstra Skopsko” e Kire Koleski, të cilët njashtu, plus posedojnë pjesë nga objekti i ndarë në parcela të veçanta me numër 5972/23 ( 594 metra katror), gjegjësisht 5972/20 ( 180 metra katror) si dhe disa kompani tjera dhe persona.

 

 

MARRËVESHJA E SHITBLERJES

 

Në mesin e shumë personave fizik dhe juridik, në listën e bashkëpronarëve në “Ineks Gorica” gjendet edhe një organizatë fetare- Bashkësia Fetare Islame. Sipas Kadastrit të patundshmërive, BFI-ja posedon dy apartamente nga 91 metra katror, së bashku me hapësirat ndihmëse nga 20 metra katror me dedikimin A4-7 ( banim i përkohshëm).”Fokus” e siguroi marrëveshjen e shitblerjes, të noterizuar te notarja Tanja Topaloska, prej së cilës del se BFI ka blerë dy apartamente me numrat 44 dhe 59 me hapësirat ndihmëse në vitin 2015 në shumën e përgjithshme prej 31.356.000 denar me TVSH të përfshirë, ose 510.000 euro. Ashtu si përmendet në vërtetimin noterial, të gjitha paratë janë paguar menjëherë në llogarinë bankare.

Në marrëveshjen e shitblerjes thuhet se BFI-ja e përfaqësuar nga Rexhepi i ka blerë apartamentet për mbi gjysmë milion euro nga kompania ndërtimore e Ohrit “Gradezhnik”, e cila gjatë kohës së shitjes para katër vitesh ka qenë e përfaqësuar nga Riste Treneski. Historia e ndryshimeve të kompanisë tregon se Treneski ka qenë pronar dhe udhëheqës i saj qysh nga formimi në vitin 2003 deri në fund të vitit 2015, që është disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me BFI-në, kur pas tij vjen Toni Iloski. Sipas informacioneve tona, ai është nip i Bozho Iloski, pronarit të ‘Remis’, selia e së cilit gjendet në adresën e njëjtë si selia e ‘Gradezhnik’ në rrugën “Partizan” në qendër të Ohrit.

Edhe përskaj tentimeve tona, nuk patëm sukses që të marrim përgjigje nga palët e përfshira në pyetjet tona: si firma “Gradezhnik” e ka marr të drejtën e pronës mbi dy apartamentet në “Ineks Gorica”; si ka ardhur puna deri te marrëveshja midis kompanisë dhe Bashkësisë Fetare Islame për shitje, gjegjësisht për blerjen e apartamenteve; pse BFI ka vendosur që të investon gjysmë milion euro në apartamente afër liqenit dhe për çka më së shumti i ka shfrytëzuar gjatë këtyre katër viteve; çfarë lidhje biznesore dhe bashkëpunimi kanë ‘Gradezhnik’ dhe ‘Remis’ duke e pasur parasysh se pronarët e tyre janë në lidhje të ngushtë familjare…? Megjithatë, pyetja më e rëndësishme që parashtrohet është miqësia midis Bozho Iloski dhe Sulejman Rexhepit, për të cilën kreu i BFI-së foli haptas, është arsyeja e shitblerjes së apartamenteve, ose miqësia është pasoja e një shitblerje të tillë?

Gjatë tentimit që të futemi në kontakt me Iloski nga “Remis” na është thënë se pronari dhe udhëheqësi i kompanisë është në udhëtim zyrtar, por deri në përfundim të këtij numri të revistës nuk kemi marr përgjigje në pyetjet që u morëm vesh t`i dërgojmë deri në kompani në rrugë elektronike. Njashtu, pyetje parashtruam edhe deri në ‘Gradezhnik’, por edhe prej atje nuk erdhi asnjë reagim. Njëkohësisht iu drejtuam edhe Bashkësisë Fetare Islame, por edhe prej atje përsëri vendosën që t`i injorojnë pyetjet tona, njëjtë si vepruan me storjen e dikurshme në lidhje me formimin e shoqatës së re humanitare “Hilal”, ku në strukturën e saj pronësore, për dallim prej organizatës ekzistuese jo qeveritare me emër dhe qëllime të njëjta, përskaj BFI-së u fut edhe reisi Rexhepi si person fizik si dhe disa bashkëpunëtor të tij të afërt.

 

 

PADI PENALE

 

Për blerjen e këtyre dy apartamenteve, ish funksionar të BFI-së, midis të cilëve edhe Skender Buzaku, të cilin gjykata qytetare e pranoi si reis legal të BFI-së, Afrim Tahiri, ish sekretar i përgjithshëm i organizatës fetare, Ibrahim Shabani, ish myfti i Shkupit, kanë ngritur padi penale në vitin 2016 deri në Prokurorinë Publike kundër Rexhepi, për shkak të së cilës, sipas tyre, ai ka nënshkruar marrëveshje me ‘Gradezhnik’ jashtë procedurës së paraparë me aktet e BFI-së. Sipas tyre, marrëveshjet e tilla nuk ka mundur që Sulejman Rexhepi t`i nënshkruaj në formë të pavarur, por është dashur që myftinia resore të formoje komision i cili do të shqyrtoje tregun dhe në bazë të dhënave të fituara në fund vendimin ta merr Rijaseti, ndërsa Kuvendi të vendos për buxhetin.

Në padinë penale që e siguruam, ata përmendën se shuma prej 510.000 eurove për dy apartamenteve prej 182 metrave katror, së bashku me hapësirat ndihmëse prej gjithësejt 40 metra katror, është shumë mbi çmimin e tregut të patundshmërive në atë regjion. Sipas tyre, Rexhepi për këto dy marrëveshje të dëmshme ka marr si dhuratë një orë dore, të cilën ashtu si e kanë shkruar deri në prokurori, është nga marka me renome zvicerane ‘Roleks’ dhe vlen 35.000 euro.

Nga prokuroria nuk u përgjigjën në pyetjen tonë për atë se çfarë aktivitete janë ndërmarr pas dërgimit të kësaj padie penale dhe nëse deri më tani është ngritur aktakuzë dhe nëse nuk është ngritur, gjegjësisht kur mund të presim që të ngritet aktakuzë para gjyqit./Almakos/