Pse Parlamenti i Maqedonisë duhet ta ratifikoje protokollin e anëtarësimit në NATO?

Pse Parlamenti i Maqedonisë duhet ta ratifikoje protokollin e anëtarësimit në NATO?

Hamdi Nuhiju

Mosdhënia e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian për Maqedoninë dhe Shqipërinë, ka ndryshuar në tërësi kahen politike në Maqedoninë e Veriut. Edhe përskaj asaj se Maqedonia e Veriut i plotësoi të gjitha kushtet duke zgjidhur edhe njëri prej problemeve kryesore rajonale dy dekadash në Ballkan, atë me Greqinë, e ndërroi emrin e saj kushtetues dhe në fund, Franca dhe një numër i vogël i shteteve vlerësuan se tani nuk është koha që Maqedonisë t`i jepet datë për nisjen e bisedimeve.

Kjo sjellje e Evropës dhe përfaqësuesve të saj politikë ka habitur edhe optimistët dhe pesimistët më të mëdhenj për raportet ndërkombëtare dhe sferat gjeostrategjike. I dërguari special i SHBA-ve, në Ballkan, Metju Palmer, gjatë vizitës që e pati këto ditë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, ka dhënë mesazhin e zhgënjimit dhe habisë së tij me qëndrimin e Evropës karshi këtij problemi. Sipas Palmer, Evropa ka bërë gabime të mëdha në këtë gjë dhe ato si shtet do të bëjnë çka është në dorën e tyre për ta mënjanuar këtë problem.

Megjithatë edhe përskaj situatës së re të krijuar pas kësaj vetoje franceze, Maqedonia e Veriut u shpërblye në një mënyrë nga Perëndimi duke ia mundësuar anëtarësimin e saj në aleancën më të fuqishme ushtarake-NATO. Kryeministri Zoran Zaev premtoi se nëse vendi nuk merr datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, vendi do të shkoje në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në anën tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama, ngul në idenë e çuarjes së mandatit deri në fund, duke mos dhënë llogari për asnjë veprim ose situatë politike të krijuar në dobi ose në dëm të vendit të tij. Edhe pse ka pasur kritika të vazhdueshme për mosmarrjen e një hapi si kolegu i tij maqedonas, Edi Rama të gjithë fajin e situatës së krijuar për Shqipërinë ia hodhi Bashkimit Evropian, ndërsa veprimin e Zoran Zaevit e komentoi si të detyrueshëm për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues. Por, e vërteta është se pas ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë nuk ka pasur ndonjë premtim për anëtarësimin e këtij vendi në BE, ose hapjen e negociatave, por thjeshtë ka pasur premtim për anëtarësimin e vendit në NATO që edhe realisht po ndodh. Në anën tjetër, në frikën e Edi Ramës nga dorëheqja nuk fshihet faji i Perëndimit ndaj Shqipërisë, por është gjendja reale e shifrave dhe problemeve reale të Edi Ramës të ballafaqohet me sovranin karshi qindra skandaleve që plasën gjatë qeverisjes së tij.

Me logjikën e Edi Ramës, as kryeministri maqedonas Zoran Zaev nuk duhej që të jepte dorëheqje, por të këmbëngulte në fajet e Evropës dhe të çonte mandatin e tij deri në fund.

Maqedonia po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat janë caktuar që të mbahen me 12 prill të vitit 2020. Por, para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ekzistojnë edhe disa probleme strategjike që mund ta turbullojnë situatën politike në vend. Diskursi dhe fryma e Evropës mund që të vihet në pikëpyetje me insistimet e Federatës Ruse si dhe të partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, e cila haptas ka deklaruar se është kundër Marrëveshjes së Prespës. Këto ditë, kreu i kësaj partie, Hristijan Mickovski ka pasur një takim të fshehtë në ambasadën ruse në Shkup, ku saktësisht nuk dihet qëllimi dhe biseda e takimit.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, disa herë e ka paralajmëruar Perëndimin se nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendi mund që të shkoje në diskursin gjeostrategjik rus. Këtë thënie dhe frikë, Zaev e ka bazuar në veprime konkrete nga ana e opozitës maqedonase dhe forcave radikale maqedonase të cilat shpesh herë dalin hapur me qëndrime pro ruse dhe anti-Perëndimore.

Në këtë frymë ishte edhe kërkesa e kryeministrit Zoran Zaev që para se të shkohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të ratifikoje protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në këtë mënyrë zyrtarisht vendi të ishte anëtar i 30 i NATO-s. Nëse nisemi nga supozimi se Zoran Zaev mund që t`i humbas zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020, dhe ato t`i fitoj VMRO-DPMNE në krye me Hristijan Mickovskin që kanë paralajmëruar se nëse i fitojnë zgjedhjet ato do ta prishin Marrëveshjen e Prespës, çka do të ndodh me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO?

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e kundërshtoi hapur argumentin e kryeministrit Zoran Zaev për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO para se vendi të shkoje në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Talat Xhaferit vendi mund që të shkoje në zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse parlamenti nuk e ka votuar protokollin e anëtarësimit në NATO.

Edhe pse ndoshta argumentet e kryeparlamentarit Talat Xhaferi mund që të qëndrojnë në aspektin teknik, por në aspektin gjeostrategjik, kur dihet se kjo temë nuk është vetëm e Maqedonisë, por është edhe interes i Bashkimit Evropian, bien poshtë.

Është me rëndësi që të dihet se cilët deputet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut do ta votojnë protokollin e anëtarësimit të vendit në NATO, dhe cilët do të janë kundër këtij protokolli dhe të përmbajtur.

Nëse e shohim në aspektin partiak, veprimi i Talat Xhaferit mund që të interpretohet si një luajtje në dy karta, edhe me VMRO-DPMNE-në edhe me LSDM-në. Momenti është shkuarje në zgjedhje, dhe tashmë shpërndahen sinjalet gjithandej.