PSP po humb besimin

PSP po humb besimin

Qytetarët kanë filluar të humbin besimin në Prokurorinë Speciale Publike (PSP) dhe në shpresën për sundimin e shtetit të së drejtës, thonë analistët. Pushteti dhe opozita po bisedojnë për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, ku duhet të zgjidhet e statuti i PSP-së.

“Drejtësia do të arrijë gjithkund, nuk ka krim të përsosur”. Kjo është një nga deklaratat e shumta të njohura të prokurores speciale Fatime Fetai në takimet me gazetarë, në të cilat PSP-ja bënte të ditur se çfarë lëndë janë hapur për të ashtuquajturit “funksionarë të paprekur” nga pushteti i kaluar, shkruan gazeta KOHA. Por, thuajse katër vite nga formimi i Speciales, rezultati thuaj se është gjysmak, thonë analistët, të cilat shtojnë se rasti i fundit me kthimin e pasaportës të të akuzuarit Orce Kamçev, që të marrë pjesë në mbledhje të ndonjë Këshilli Drejtues dhe të edukohet jashtë vendit, krijon përshtypje për ulje të integritetit të këtij institucioni. Përveç Kamçevit, prokurorja Katica Janeva i ka lejuar kthimin e pasaportës edhe pronarit të kompanisë “Pelisterka”, Cvetan Pandelevski.

Bashkim Selmani, profesor universitar i së Drejtës Penale, thotë se është esenciale të vlerësohet se Prokuroria Speciale për nga funksionaliteti juridik dhe gjyqësor, nuk e arriti pritshmërinë morale të opinionit publik në aspektin moral dhe autoritar. “Është me rëndësi të theksojmë se në aspektin juridiko-gjyqësor dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, PSP nuk e bëri atë që pritej. Zvarritjen e lëndëve deri në epilogun përfundimtar akt-gjykimor, po ashtu është një problem tjetër i kësaj prokurorie. Specialja humbi edhe unitetin politik dhe përkrahja e këtij institucioni edhe  nga faktori ndërkombëtar, dhe zbehu pritjet që të vë në funksion shtetin e së drejtës në Maqedoninë e Veriut. Vërejtje ndaj speciales janë theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian. Për PSP-në duhet të kërkohet një model funksional dhe paralel”, deklaroi për gazetën KOHA, Selmani.

Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani, kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptarë në Maqedoni thotë se neglizhenca dhe zvarritja e lëndëve nga PSP-ja ia humb tehun shpatës së drejtësisë. “Zvarritja e lëndëve në kompetencë të Prokurorisë Speciale, e zbeh akuzën dhe ia humb tehun shpatë së drejtësisë. Me anulimin e një gjykimi racional, u jepet mundësia të akuzuarve që ti zbehin argumentet mbi të cilat bazohet akuza dhe mbi të gjitha – krijohet një klimë për një pajtim nacional, ku shumica e të akuzuarve as që do ta shijojnë çorbën e burgut”, theksoi Pollozhani.

Kritika në adresë të PSP-së, Prokurorisë Publike dhe Gjykatave ka drejtuar edhe ministri Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili ka vërejtje për mënyrën e caktimit dhe shfuqizimin e masës paraprake për të pandehurit dhe të dyshuarit. “Sistemi detyrimisht duhet të konsolidohet, por edhe gjykatat. Aty ku sistemi është gërryer, duhet riparuar”, thotë Spasovski. Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) ka shfaqur shqetësimin e saj për dështime në afatet kohor për punën e PSP-së. Në raportin e kësaj organizate thuhet se në seancat gjyqësore, PSP prezanton dëshmi dhe dëshmitarë të panevojshëm dhe së në asnjë rast nuk i është lejuar palës mbrojtëse qasje deri te materialet e përgjimit, të cilat PSP-ja i ka përdorur si dëshmi. Por, kryeprokurorja speciale Katica Janeva për këtë çështje topin e ka hedhur te pala mbrojtëse, të cilët sipas saj, nuk kanë kërkuar me kohë një gjë të tillë nga PSP-ja.