Alsat 2019-07-12T18:59:06+02:00
Bisedimet për PSP-në mes pushtetit dhe opozitës janë bllokuar. Kështu tha kryeministri Zoran Zaev në deklaratën e tij të sotme, duke sqaruar se ka dy arsye për këtë, mospajtimi i opozitës që të vazhdojë gjykimi për lëndët “e reja” të PSP-së dhe emri i Katica Janevës.
Ministrja e Drejtësisë sot dha informacion se është bllokuar puna në nenin 105. Lideri i opozitës në të gjitha takimet thotë se Katica Janeva është problem. Te një pjesë e punëve të grupeve të punës ka përparim, por në disa detaje të caktuara të nenit 105 jemi bllokuar- deklaroi Zoran Zaev.
Qëndrimi i sotëm i kryeministrit, për shkaqet e bllokimit të bisedimeve, është dukshëm më i ndryshëm sesa deklarata e tij e mbrëmshme në TV Klan. Atje tha se pengesë është vetëm Katica Janeva.
Çështja e vetme ku kemi ngecur është Katica Janeva, pra emri i saj dhe aq. Ne kemi sistem dhe quhet sistemi i prokurorisë publike në shtet. I mbështetur nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare që duhet të ketë të ardhmen e saj- theksoi Zoran Zaev.
Qëndrimet e Zaevit se problem është emri i Katica Janevës ose njëra prej arsyeve për bllokimin e bisedimeve bie ndesh me qëndrimin e ministres së Drejtësisë Renata Deskoska.
Dua të theksoj se në bisedimet e deritanishme, nuk është bërë fjalë fare, pra kur bisedojmë ne si grupe pune nga Ministria dhe partitë politike rreth Ligjit, as që e përmendim emrin e Katica Janevës- pohoi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Alsat edhe sot kërkoi sqarim plotësues nga Ministria e Drejtësisë, prej ku mbetën në qëndrimin se problem në bisedimet janë vetëm statusi dhe fati i lëndëve të reja të PSP-së.
Ligji i propozuar nga Ministria përmban dispozitë se Prokurori special zgjidhet nga Këshilli i prokurorëve. Kështu që çështja kush do udhëheq me PSP-në është çështje që nuk përmendët në bisedimet rreth tekstit të ligjit- thanë nga Ministria e Drejtësisë.
Dhe që hutia të jetë e kompletuar, nga VMRO-DPMNE-ja sot e konfirmuan tezën e ministres Deskoska, duke hedhur poshtë pohimet se Katica Janeva është problemi në bisedimet.
Absolutisht nuk bëhet fjalë pikërisht për këto dallime substanciale, e këto janë dallimet lidhur me parimet sipas të cilave duhet të mbështetet një Ligj për fushën e prokurorisë publike- deklaroi Naum Stoillkovski – VMRO-DPMNE.
Në kundërshtim me qëndrimin e sotëm të Stoillkovskit, kur filluan bisedimet për ligjin për PSP, lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski ishte decid edhe kundër Janevës edhe kundër ekipit të saj.
Ky prokorur special publik bashkë me ekipin e saj nuk mund dhe nuk guxon të marrë besimin meqë jo vetëm që nuk e arsyetuan besimin dhe pritjet nga qytetarët kur u formuan, por përkundrazi, në shumë raste po atë besim e keqpërdorën- tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Dobi nga kakofonia e këtillë e qëllimshme ose e paqëllimshme në fund me siguri do të kenë vetëm ata që janë nën ndjekjen e PSP-së, meqë mandati i Janevës skadon për dy muaj. Dëmin më të madh me siguri do të pësojë shteti, meqë zgjidhja e PSP-së është pengesë e mundshme për vendin që të marrë datë për fillimin e bisedimeve me BE-në në tetor. Në mënyrë deklarative, për bisedime janë edhe pushteti edhe opozita. Por, VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron të bisedojë më për propozimin e pushtetit dhe është duke përpiluar propozimin e saj, për të cilin nuk e di saktësisht se kur do të jetë gati.
Alsat
Loading…