6 March 2018 / 16:10
Kushte mesjetare pune dhe jetese në pikën Rrugët e Maqedonisë në Mavrovë. Punëtorët ankohen se vite me radhë kanë marrë vetëm premtime për kërkesat e tyre, ndërsa realizim asnjëherë. Ata madje ankohen se muajin e fundit, u është shkurtuar edhe pagesa e ditëve që bëjnë kujdestari dhe në vend të 15 ditëve, janë paguar për vetëm 10 ditë.
Rrimë kujdestar 15 ditë, janë paguar vetëm dhjetë ditë. Nuk e dimë për çfarë arsye na i heqin dhe përse nuk na paguhen rrogat? Ne kërkojmë atë që kemi punuar. Punojmë pa kulm mbi kokë, çdo moment kur bie bora jemi në rrezik mund të na bie kulmi. Nuk kemi asnjëfarë kushti këtu dhe për çfarë na i heqin edhe ato pesë ditë – deklaroi një punëtor i Rrugëve të Maqedonisë.
Në fillim paguanin 17 ditë pune, pastaj 15 tash i kanë ulur në dhjetë ditë pastaj mund të na bëjnë edhe pesë ditë se di kush i bën këta punë, nuk e kam të qartë. Uniforma s’kemi marrë që vitin e shkuar në dimër. Unë jam nga pika e Gostivarit, ne i kemi paditur për mos pagesë të punës së terrenit, e kemi fituar gjyqin po paratë nuk mund të na paguhen – u shpreh një tjetër punëtor.
Punëtorët ankohen se nuk kanë përkrahje as edhe nga Sindikata e tyre.
Unë jam anëtar i Sindikatës, për katër pesë vite vetëm një herë na kanë thirr në takim, nga kryetari Stojani i madh e thirrëm ne, e tani kur erdhi koha të ankohemi na u lajmërua që të mos ankohemi mos thirrmi televizionet të mbetet e fshehtë dhe po i morëm mirë po nuk i morëm parat askujt asgjë – tha një punëtor.
Nga ana tjetër, drejtori i Rrugëve të Maqedonisë, Gajur Kadriu, thotë se për këtë vendim nuk është i njoftuar. Ai madje për vendimin që është sjellë për heqjen nga pagesa të pesë ditëve të kujdestarisë, na drejton tek kreu i Sindikatës.
Nuk jam i njoftuar për këtë, për herë të parë tani dëgjoj. Nga 800 të punësuar, nëse është bërë ndonjë gabim eventual, do ta shohim – tha Gajur Kadriu, drejtor i “Rrugëve të Maqedonisë”.
Nëse brenda javës nuk bëhet pagesa e ditëve të mbetura, punëtorët e Rrugëve të Maqedonisë, të pikës së Gostivarit, Mavrovës, Dibrës dhe Strazhës, rastin do e hedhin në gjyq.
Bashkim Sulejmani