Qentë e Velipojës!

Qentë e Velipojës!

Velipoja është bukuri dhe pasuri e rrallë që ka Shqipëria. Madje ajo është si një “hambar” që mund ta ushqej me “bukë” jo vetëm Shkodrën po edhe Tiranën. Por ajo shpesh të ngjan si “hambar” i lënë në duart e shtëpiakëve të papërgjegjshëm, shkruan Almakos.

Velipoja sivjet në fund të korrikut është më e zbrazët në krahasim me vitet e shkuara. Të vetmen që ka më shumë janë qentë endacak që të lënë përshtypjen se dikush qëllimisht i ka sjell këtu sa për t`i trembur pushuesit.

Pushuesit më në numër në Velipojë ishin dhe janë kosovarët. E sa për kosovarët thuhet se ata nëse nuk kanë ku me gjet të meta, atëherë ankohen për njelmësinë e detit.

Por kur është në pyetje turizmi dhe Velipoja, ajo i del si të flasësh për baletin në shkollë të “pehlivanëve”. Del kështu sepse çdo ku lexon dy të kundërta që prodhojnë improvizmi turistik: shtëpiakët që duan shpejt e pa kontribut të madh t`ua zbrazin xhepat pushuesve, dhe shumica e pushuesve që kanë pru me vete speca e domate, për aq ditë sa do të rrinë në pushim duke dashur kështu të pushojmë duke u lodhur së kursyeri. Me çka edhe fillon gara mes vendasve që duan të pasurohen ngutshëm nga turizmi dhe pushuesve që nuk duan ta pranojnë se deti dhe turizmi nuk janë kategori që mund t`ia ofrojnë vetvetes të varfrit.

Po sivjet Velipoja është më e zbrazur se vitet e shkuara. Sigurisht se shkaku kryesor është varfërimi i shqiptarëve kudo që jetojnë. Por një ndër shkaqet madhore janë edhe kopetë në mbeturina që qelbin dynjanë si dhe tufat me qenë që të përcjellin çdokund e të çojnë të ndjehesh i rrezikuar e i pambrojtur.

Sidoqoftë pushuesit që vijnë në Velipojë kanë diçka të përbashkët: ata e duan atë edhe shkaku i ngrohtësisë mikëpritëse e njerëzore të vendasve. Ata Velipojën e duan edhe atëherë kur qartë shohin se ajo ka mbetur në duart e grykësisë njerëzore e cila çadrat sa nuk i ka vënë njëra mbi tjetrën dhe hotele ka shpallur edhe shtëpitë që nuk i përmbushin kushtet të janë as dhoma fjetjeje për studentët e kohës së Enverit.

Pa dyshim se Velipoja është pasuri e veçantë që Zoti ia ka dhënë Shqipërisë. Dhe ajo mbase është vendi turistik me shqiptarë ku vijnë pushues kryesisht nga Kosova. Dhe ndoshta pranoja në Velipojë mbisundon mendësia turistike se aty ku pushojnë “tanët” nuk ia vlen as pastërtia, as rrugët pa qenë e lopë që kullosin lirshëm. Sepse ne çdo gjë të pastër, të gjelbër, të mirëmbajtur, e bëjmë gati për të huajt. Duke harruar se jo pushuesit, por mirëpritësit e tyre i përcaktojnë standardet turistike të një mjedisi. Pra standardet turistike të Velipojës nuk i përcaktojmë ne që aty vijmë me ushqimin që kemi marr me vete, por ata që na e bëjnë të lodhshëm pushimin me kopetë me mbeturina dhe qentë që shëtisin rrugëve si lajmërues të së vërtetës të gjithë ne së bashku: pushues të dashur nga viset tjera shqiptare e vendas që na prisni, jemi njësoj të papërgjegjshëm e të pakujdesshëm për paurinë që kemi- detin e bukur të cilit ua marrim të gjitha duke ia lënë vetëm papastërtinë. /Almakos/