Qeveria britanike i kërkon Mbretëreshës të pezullojë punën e Parlamentit

Qeveria britanike i kërkon Mbretëreshës të pezullojë punën e Parlamentit

Qeveria britanike i ka kërkuar Mbretëreshës Elizabeta II, që të pezullojë punën e parlamentit, vetëm disa ditë pasi ligjvënësit britanikë të nisin punën dhe vetëm pak kohë para afatit të fundit për finalizim të Brexit-it.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se fjalimi i Mbretëreshës do të mbahet pas pezullimit të parlamentit më 14 tetor, për të vënë në pah “agjendën e tij entuaziaste”.

Mirëpo një gjë e tillë nënkupton se deputetët britanikë do të kenë shumë më pak kohë për të parandaluar largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Deputeti, Dominic Grieve, e ka konsideruar këtë thirrje “akt të turpshëm”.

Ai ka paralajmëruar se një situatë e tillë do të rezultojë me votbesim pasi sipas tij “kjo qeveri duhet të bie”.

Megjithatë, Johnson ka thënë se është “plotësisht e pavërtetë” të pretendohet se pezullimi i punës së parlamentit është i motivuar nga dëshira për ta shtyrë përpara një Brexit pa marrëveshje.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të presë pas Brexit-it “që të realizojë planet për të përparuar shtetin”, dhe se deputetët kanë kohë të mjaftueshme për të diskutuar largimin e Britanisë nga blloku evropian.

“Neve na duhet një legjislacion i ri. Neve na duhet të dërgojnë përpara projektligje të reja, andaj do të kemi Fjalim të Mbretëreshës”, ka thënë ai.

Ideja e pezullimit të punës së parlamentit, ka nxitur debate të shumta, pasi kritikët kanë thënë se një gjë e tillë do të pengonte deputetët që të luajnë rolin e tyre demokratik në procesin e Brexit-it.

Një numër i figurave të larta shtetërore, duke përfshirë ish-kryeministrin, John Major, kanë kërcënuar se do ta ndalin këtë vendim përmes gjykatave.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.