25 April 2018 / 14:45
Nëpërmjet planit operativ të emëruar “Mundësi për të gjithë”, Qeveria synon punësimin e 16 mijë personave brenda vitit 2018. Gjegjësisht ky plan, siç thuhet nga ekzekutivi përfshin tre mundësi; rikualifikimin dhe mbikualifikimin e personave të papunë, ndërmjetësimin ose punësimin e tyre.
Në masat operative për punësim ndamë 17 milion euro të cilat këtë vit duhet të zbatohen përmes Agjencisë për Punësim dhe përmes UNDP-së. Duhet të përfshihen më shumë se 16 mijë e 269 të papunësuar prej të cilëve 9 mijë e 509 duet të kyçen direkt në masat për punësim. Te këto programe ka programe për vetëpunësim, mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës, trajnime dhe programe për punë si dhe shërbime të tjera të nevojshme për të rinjtë dhe të papunët – deklaroi Milla Carovska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Është paraparë që përparësi të kenë të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare, të papunësuarit për një periudhë më të gjatë, personat në të 50-tat, romët i dhe nënat e vetme.
Të gjithë personat e papunësuar që janë evidentuar në Agjencinë për punësim kanë qasje të njëjtë deri te programet, masat dhe shërbimet për punësim, të vërtetuara në planin operativ vjetor. Si rregull i përgjithshëm, pjesëmarrja e personave të rinj deri më 29 vjeç do të merret me kujdes të veçantë gjegjësisht këto persona duhet të përfshihen me mbi 30% – shpjegoi Biljana Jovanovska, drejtore e Agjencisë së Punësimit,
Partner zbatues i projektit, përskaj Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencisë së Punësimit, është edhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP.
Mungesa e punëve të dinjitetshme është sfida e parë në zhvillimin e vendit që vëren UNDP-ja. Niveli i papunësisë mes të rinjve që arrin pothuajse 50% sjellë largimin e vazhdueshëm të tyre, largimin e talenteve dhe boshatisjen e vendbanimeve. Njëkohësisht shohim bizneset private si përballen me mungesën e të punësuarve të trajnuar. Këto masa që ndërmerr UNDP-ja kanë për synim zgjidhjen e këtij paradoksi – deklaroi Luiza Vinton, ambasadore e UNDP-së.
Parashihet krijimi i 890 bizneseve të vogla private prej të cilave, 50 do të drejtohen nga persona me nevoja të veçanta, do të bashkëpunohet me rreth 50 komuna për angazhimin me kohë të pjesshme të 500 të rinjve për të siguruar edukim për fëmijët në çerdhe dhe shërbime të tjera publike kurse për t’u angazhuar me kohë të plotë target në masën 80%, do të jenë gratë. Maqedonia ka rreth 210 mijë kërkues aktiv dhe pasiv të punës, të regjistruar në Agjencinë për punësim.
Fatlume Dervishi