Qindra qytetarë festojnë 1 majin në parkun e Gërmis (Video)

Qindra qytetarë festojnë 1 majin në parkun e Gërmis (Video)

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve,  në Kosovë kjo festë zyrtare po shënohet ndryshe.

Përderisa, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) sot me një numër të vogël të protestuesve ka protestuar kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale,  në parkun e Gërmisë qindra  qytetarë kishin dal për të kaluar një ditë relaksi, duke pushuar por edhe duke zhvilluar aktivitete sportive në shoqërinë e tyre.

Telegrafi zhvilloi disa intervista me qytetarët në parkun e Gërmisë, sigurisht duke mos i penguar në kënaqësinë dhe qetësinë e tyre, arsyen për të cilën edhe kishin dal.

Nysret Zekolli, tha se ka dal që të relaksohet bashkë më fëmijët e tij.

Ai shprehu pakënaqësinë e tij për kushtet e punës së punëtorëve në vend, dhe tha se duhet t’u bëhet më shumë presion qeveritarëve nëpërmjet protestave, edhe pse ai vet nuk kishte marr pjesë në protestën e BSPK-së.

“Arsyeja kryesore që kam ardhur është t’i relaksoj fëmijët dhe veten. Koha e mirë, po s’është atmosfera siç ka qenë përpara. Në këtë ditë duhet të protestohet se çfarë kushtesh i kemi, pa protesta se di si po kalojmë. Nuk mora pjesë në protestë sepse dola këtu, por kanë bërë shumë mirë që kanë protestua…”, ka thënë ai.

Ndërsa një qytetare tha se ka dal për të hequr pak mërzinë.

“Dolëm pak me heq mërzinë. Jam pensioniste edhe e marr 90 euro pensionin”, tha ajo.

E një vajzë e cila ishte duke luajtur me një grup të të rinjve tha se ka dal për qejf në Gërmi, dhe se për 1 maj duhet të pushohet.

“Kemi dal për shëtitje. Duhet të pushohet për 1 maj”, potencoi ajo.

Ndërkaq, edhe Komuna e Prishtinës sot ka ndaluar qarkullimin e automjeteve përpos linjave të autobusit drejt parkut Gërmia, madje janë bllokuar edhe disa rrugë në kryeqytet.

Ndryshe, 1 Maji apo Dita Ndërkombëtare e Punës, lindi nga lufta e punëtoreve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. /Telegrafi/

TAGS