Farrah Jarral
Provat janë në rritje – vetë paragjykimi racor, por edhe efektet e tij grumbulluese ndikojnë tek trupat e njerëzve të zinj dhe tek ato me ngjyrë kafe.
Muajin e kaluar, radio prezantuesja Klara Amfo dërgoi një mesazh prekës për dëgjuesit duke shpjeguar se pse ajo nuk kishte qenë në punë një ditë më parë në BBC Radio 1. “Ne flasim shumë për shëndetin mendor. Dhe i imi dje ishte vërtetë shumë keq”. Ajo foli sinqerisht duke qenë ulur në divan pas vdekjes së Xhorxh Flojdit, një njeri i zi i paarmatosur, duke qarë, e hutuar, e mërzitur nga lajmet për “një tjetër trup të zi të brutalizuar” dhe duke mos qenë në gjendje thjesht ta përmbante këtë dhe të pyeste me entuziazëm në radio drejtpërdrejtë nëse të gjithë kishin pasur një fundjavë të këndshme. Amfo përfundoi: “Ekziston një ide e rremë që racizmi, në këtë rast racizmi kundër të zinjve është vetëm fyerje dhe dhunë fizike kur është kaq shumë më e fshehtë se kjo”.
Racizmi na bën të sëmurë. Blogu i fundit i Dr. Rageshri Dhairyauanit në “British Medical Journal” vë në dukje një numër të pabarazive shëndetësore të bazuara në racë në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë statistikën mahnitëse ku gratë britanike të zeza kanë pesë herë më shumë të ngjarë të vdesin në shtatzëni sesa gratë e bardha. Ekziston një tendencë për të supozuar se ndryshimet etnike në nivelin e rrezikut për sëmundje janë në ndryshime biologjike të trashëguara. Ky supozim në vetvete është një rezultat i ideve historike se çfarë është raca dhe nocioni i rremë se raca është më shumë një realitet biologjik sesa social me pasoja biologjike. Pakicat për shembull, janë të prirë të marrin kujdes më të dobët mjekësor. Paragjykimi ekziston në profesionin mjekësor edhe kur besojmë ose shpresojmë se ai nuk ekziston. Një shembull i prekshëm në lidhje me këtë është studimi amerikan për apendicitin në fëmijë i cili zbuloi se: “Fëmijët e zinj kanë më pak të ngjarë të marrin ndonjë ilaç kundër dhimbjeve për dhimbje mesatare dhe më pak të ngjarë të marrin opioide për dhimbje të forta duke sugjeruar një prag të ndryshëm për trajtim”.
Dr Vanesa Apea është një këshilluese për shëndetin seksual dhe HIV te “Barts Health” në Londër, dega më e madh në Mbretërinë e Bashkuar e SHSHK-së. Ajo gjithashtu është autore kryesore e një prej studimeve më të mëdha dhe më të larmishme britanike mbi Covid-19 tek pacientët në spital deri më sot. Studimi, aktualisht në pritje të botimit, tregon se njerëzit e zinj dhe të Azisë Jugore kishin shumë më shumë gjasa të sëmureshin rëndë me Covid-19, dhe dukshëm kishin më shumë të ngjarë të vdisnin prej tij krahasuar me homologët e tyre të bardhë. Ky ndryshim vazhdoi edhe kur mosha, niveli i dobët, kushtet para-ekzistuese dhe privimi ishin marrë parasysh. Kur e pyeta Apeën se çfarë e preku atë më shumë në rezultatet e studimit, ajo tha: “Jo vetëm se kishte më shumë sëmundje dhe sëmundje më të rënda te pacientët e zinj dhe aziatikë, por gjithashtu kishte edhe vdekjen të parakohshme – kjo humbet në rrëfim. Jemi duke humbur njerëz të moshuar të bardhë, por janë njerëzit më të rinj të zinj dhe aziatikë të cilët po vdesin”.
Amfo kishte të drejtë kur ajo tha se racizmi ishte i fshehtë. Në krye të shtigjeve kryesore të pabarazisë sociale, siç janë pasuria, qasja në burime dhe paragjykimet institucionale, ka diçka delikate në lidhje me mënyrën se si racizmi i dëmton njerëzit. Të gjithë e dimë me anë të intuitës që përjetimi i stresit i të qenit të trajtuar në një mënyrë poshtëruese mund të na bëjë të ndihemi thellësisht të shqetësuar. Ne flasim për ndjenjën e “prekjes” pak para se të na dalë një herpes ose të na kapin dhimbjet e fytit. Lidhja e saktë midis stresit psikosocial dhe sëmundjes është ajo që shkenca mjekësore nuk e ka sqaruar plotësisht. Por padyshim që ka një lidhje, sido që të jetë.
Unë kurrë nuk do ta harroj personin i cili përndryshe ishte plotësisht mirë, shpërtheu në psoriazë kokë e këmbë në përvjetorin e vdekjes së të dashurës së tij. Nuk është saktësisht e qartë se si kjo funksionon, por hormonit i kortizolit të stresit është implikuar, përmes sistemit nervor autonom, përgjegjës për reagimin e “kundërshtimit ose ikjes”, siç janë ndryshimi i rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut. Seria mjeshtëror televizive e Miçella Koeles “I May Destroy You” paraqet një skenë në të cilën një mjek i bardhë informon protagonisten e zezë dhe viktimën e sulmit seksual Arabellën se presioni i saj i gjakut është shumë i lartë. Ai citon në mënyrë të çuditshme faktorët е rrezikut etnikë dhe i thotë asaj që të ndalojë përdorimin e e-cigareve, duke injoruar plotësisht kontekstin domethënës psikosocial i cili mund të ketë kontribuar në trupin e saj duke u ndier sikur është në luftë. Ndërsa Arabella kishte arsye të tjera për tu stresuar përveç të qenit një grua e zezë me lëkurë të errët në Britani, përjetimi i diskriminimit është treguar se shoqërohet me një ulje të zakonshme të presionit të gjakut gjatë natës dhe si rezultat, me rrezik më të madh të sulmit në zemër dhe në tru.
Një organ hulumtues në rritje nga ShBA-të tregon se stresi psikosocial i përjetimit të racizmit po shkakton sëmundje edhe kur statusi socio-ekonomik është përgjegjës. Një studim i një grupi të madh të grave amerikane të zeza tregoi se përvojat e diskriminimit racist ishin të shoqëruara me rritjen e incidencës së astmës nga të rriturit, madje edhe kur kontrollojnë faktorë të tillë si arsimi, të ardhurat, statusi i pirjes së duhanit, BMI-ja dhe historia e familjes. Mjeti të cilin studiuesit përdorën për të matur racizmin përfshiu pyetje në lidhje ballafaqimet në përditshmëri, siç janë: “Marrja e shërbimit më të dobët se njerëzit e tjerë në restorante dhe dyqane”, “Njerëzit sillen sikur të kenë frikë prej jush” dhe “Njerëzit sillen sikur të mendojnë se nuk jeni inteligjent”.
Efektet e racizmit në trupin fizik në qarqet akademike njihen si “weathering” – një term për fat të keq për këdo i cili e di se si ndihet. David H Çae, një epidemiolog nga Universiteti i Merilendit ka gjetur prova të plakjes së përshpejtuar, një shkurtim të strukturave qelizore të quajtur telomeres – tek burrat e zinj amerikanë të moshës midis 30 dhe 50 vjeç. “Gjetjet tona sugjerojnë se racizmi fjalë për fjalë i bën njerëzit të vjetërsohen” tha Çae, duke përshkruar përvojat e burrave afrikano-amerikanë si ngacmimi nga policia, mosrespektimi i vendit të punës dhe stereotipi si “toksina sociale”.
Në punë të tjera, në vend se t’i pyeste njerëzit drejtpërdrejt mbi përvojat e tyre subjektive të racizmit, ekipi i Çaeit mati racizmin në bazë të përfaqësimit, duke shikuar numrat e kërkimeve të Gugllës të cilët përdorën fyerje racor. Ata i planifikuan në detaje Shtetet e Bashkuara në copëza dhe i koduan ato jeshile, të verdhë, portokalli ose të kuqe në varësi të faktit nëse kërkimet për fyerje ishin më të mëdha ose më të ulëta se mesatarja. Harta në vetvete është mjaft interesante, me copëza thellë në jug të mbuluar me të kuqe. Harta zbuloi se aty ku përdorimi i fyerjeve ishte më i lartë, vdekshmëria te njerëzit e zinj ishte gjithashtu dukshëm më e lartë.
Ashtu si unë, Apea mirëpret më shumë hulumtime mbi ndikimin e diskriminimit në trup. “Ekziston një arsye pse mikroagresionet quhen kështu, ka një fizikalitet këtu, se si trupi juaj i përgjigjet kësaj”. Apea, e cila është britanike, por ka studiuar në “Harvard’s Kennedy School of Government”, është e kujdesshme të bëjë dallimin midis përvojave të racizmit ndaj të zinjve britanik dhe racizmit ndaj të zinjve amerikane. “Në Amerikë, është shumë më e dukshme. Në Mbretërinë e Bashkuar, akoma përjetoni situata të ndryshme dhe të vështira, por shumë prej tyre janë “mikro” dhe i nënshtrohen interpretimit tuaj. Njerëzit janë shumë të mirë në të qenit të fshehtë dhe të mprehtë, por ju e dini se çfarë po e nxit atë… Unë mendoj se studimi i “weathering-ut” këtu do të jetë shumë interesant”, thotë ajo. “Pasi njerëzit të kuptojnë se çfarë është ai, ata do ta njohin atë, dhe dëmin e tij emocional dhe fizik. Si shtet, ne me të vërtetë duhet të reflektojmë në lidhje me këtë”.
Farrah Jarral është transmetues dhe doktor
The Guardian, 26.07.2020
Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti
Antiteza.org/29.07.2020