Rama: Integrimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri

Rama: Integrimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri

Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e shënimit të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, deklaroi se përfshirja e Kosovës në Aleancë do të ishte një kapital i shtuar që NATO të marrë një trajtë të plotë e të sigurtë.

“Shqipëria beson fort se integrimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën thjesht, dhe as për Ballkanin por për të gjithë familjen euroatlantike. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar që NATO të marrë një trajtë të plotë e të sigurtë”, deklaroi Rama.

Në ceremoninë që u mbajt në sheshin “Nëna Terezë” në kryeqytetin shqiptar, Rama tha se Ballkani është në një periudhë paqeje dhe ripajtimi falë NATO-s.

“Një rajon që prej pas më shumë se 100-vitesh luftë dhe konflikte të pandërprera, falë edhe NATO-s, Ballkani gëzon sot një periudhë paqeje, ripajtimi dhe përpjekjesh bashkëpunimi. Sot jemi bashkë kundër armiqve të rinj”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar përmendi edhe ndërtimin e bazës së NATO-s në Kuçovë, për të cilën tha se do jetë një prej më moderneve dhe më të mëdha të Aleancës në rajon.

“Në 10-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, që në fakt përkon me 20-vjetorin e një fillimi të bashkëpunimi të ngushtë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, Shqipëria përgatitet të nisë veprën e rëndësishme të ndërtimit të bazës së NATO-s në Kuçovë e cila do të jetë një prej bazave me moderne dhe më të mëdha të NATO-s në rajon. Ky fakt është simbolikë e bukur e këtij jubileu sepse baza e konceptuar si një nga pikat e referimit të aleancave tona strategjike do të shndërrohet nga një bazë e lindur për t’u mbrojtur nga NATO në bazë të rilindur nga NATO”, tha ndër të tjera Rama./kp/

TAGS