Rama sulmon Metën në fushatë: Akti i tij i papërgjegjshëm e zbuloi planin!

Rama sulmon Metën në fushatë: Akti i tij i papërgjegjshëm e zbuloi planin!

Nga fushata elektorale që po mban në Divjakë, kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Presidentin Ilir Meta duke deklaruar se akti i tij për heqjen e 30 qershorit si data e zgjedhjeve lokale e ka zbuluar plotësisht planin.

Sipas Ramës, liderët e opozitës dhe Presidenti kanë frikë nga zgjedhjet dhe tmerr nga reforma në drejtësi, dy elemente që sipas kryeministrit kanë sjellë dhe çdekretimin e datës së zgjedhjeve.

Rama: Do të kishim dëshiruar që këtë fushatë ta kishim garë me kundërshtarët tanë për të parë idetë dhe kandidatët më të mirë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu, pasi kanë kapitulluar para se të fillojë ndeshja. Nuk përballen dot me ne në zgjedhje, kanë frikë nga gjykimi i njerëzve dhe të maten me ne duke bërë atë që politika duhet të bëjë dhe jo duke sharë dhe shpifur dhe kërcënuar.

Frika nga zgjedhjet dhe tmerri nga reforma në drejtësi dhe paniku ka bërë që të kthehen në një front kundër celjes së negociatave. Nesër do të flasim më shumë, por akti i fundit i Metës e ka zbardhur plotësisht planin dhe na ka dhënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri.

Nga ana tjetër kryeministri nuk është tërhequr nga ideja për shkarkimin e Presidentit, duke e cilësuar atë si një njeri të papërgjegjshëm që ka humbur të drejtën për të mbajtur postin më të lartë shtetëror.

Rama: ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverisjes së botës, firmos dhe çfirmos, sikur bota të hynte në logjikën e Metës që firma e cdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej nuk do të kishte më shtet dhe rregull, dhe drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, pa përgjegjshmërie dhe që nuk mund as të pranohet dhe as të tolerohet. Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit për sa kohë fuqia e popullit sovran është te parlamenti dhe që parlamenti ka jo vetëm të drejtën, por detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet”