7 Tetor 2018 / 16:00
Rreth tre kilometra ecin për çdo ditë në këmbë fëmijët e lagjes së Rashtakut të Komunës së Butelit. Prindërit kërkojnë që sa më shpejt të zgjidhet ky problem, sepse kanë frikë për sigurinë e fëmijëve të tyre. Ata thonë se situata për këto fëmijë është edhe më e vështirë gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit, pasi rruga shndërrohet në gjendje pothuajse të pakalueshme.
“Vjeshtës ka shumë mbeturina. Po, kemi shumë frikë dimrit të kalojmë sepse ka shumë qen. Ka shumë baltë. Nuk dimë çka të bëjmë, nga të ecim.”
“Shumë keq. Aty rrijnë 5 qen dhe shumë frikësohemi.”
“Më së shumti kur është vjeshtë dhe dimër, kur ecim nëpër borë dhe shi prej baltës nuk mund të ecim. Shkojmë se bashku një grup shokësh por prapë kemi frikë.”
“Kërkojmë për fëmijët, për nxënësit e vegjël një minibus për t’i dërguar në shkollë. Rruga duhet të asfaltohet sepse po shihet në çfarë gjendje është. Kjo rrugë ka një vjet e gjysmë që është kështu.”
Ndërkohë Erkan Murseli, zv/dretjori i shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” ku dhe ndjekin mësimin këta fëmijë, thotë të kundërtën. Murseli sqaron që të gjithë nxënësit e rrugës së Rashtakut janë të pajisur me kartela për transport dhe se nuk ekziston një problem i tillë.
Të gjithë ata të cilët janë në rrugën Rashtak, Butel, Radishan, të gjithë kanë transport. Transporti i fëmijëve në shkollën tonë nuk ka problem, të gjithë nxënësit janë të pajisur me kartela për transport dhe deri më tani asnjë nxënës nuk ka mbetur pa kartelë. Në rrugën e Rashtakut të gjithë fëmijët kanë transport, kanë kartela për rrugë dhe deri më tash nuk kemi pasur asnjë problem”- theksoi Erkan Murseli, zëvendës drejtor i Shkollë Fillore “Zhivko Brajkovski”.
Siç mëson jozyrtarisht Alsat M shkolla u siguron transport fëmijëve deri në një pikë të vendbanimit por prindërit kërkojnë një minibus që do ti transportonte deri tek vendi ku më vonë i merr transporti i shkollës.
Valmira Zendeli