RDK: Veprimet e Ivanovit rrezikojnë thellimin e krizës

Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh shqetësimin e saj për vendimin e Kryetarit të shtetit Gjorge Ivanov për të amnestuar ish-zyrtarë të lartë shtetëror që janë në ndjekje penale për shkak të përfshirjes në veprimtari të paligjshme. Ky akt i shëmtuar i Kryetarit të shtetit tregon për kapjen e gjithanshme të shtetit nga partia, degjenerimin e institucioneve shtetërore dhe faktin se përfaqësuesit e VMRO-së janë mbi ligjin.Veprime të tilla të papërgjegjshme të kreut të shtetit vetëm do ta zhysin vendin në krizë edhe më të thellë politike dhe institucionale.

RDK shpreh bindjen se në këtë situatë të degradimit të institucioneve dhe humbjes së besimit të qytetarëve në to, vetëm izolimi i këtij regjimi të korruptuar dhe ndëshkimi i tij nga komuniteti ndërkombëtar mund të krijojnë mundësinë për kthimin e demokracisë në vend.

Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh zhgënjimin që një pjesë të fajit për vendosjen e personave të tillë në krye të institucioneve të vendit mban edhe partia shqiptare në pushtet. Ishte BDI ajo që jo vetëm uli censusin për zgjedhjen e kryetarit të vendit nga 50% në 40% duke ulur peshën e votuesve shqiptarë, por edhe e njohu si legjitim Gjorge Ivanovin në mandatin e tij të parë pa votat e shqiptarëve. Ky precedent i rëndë, i njohjes si legjitim të një personi të zgjedhur pa votat e shqiptarëve, edhe pas thirrjes së BDI-së për të votuar për Gjorge Ivanovin në raundin e dytë të zgjedhjeve në vitit 2009, i heq çdo të drejtë BDI-së për ta kontestuar zgjedhjen e të njejtin person nëmandatin e dytë në vitin 2014 – që siç tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në komunat e pastra shqiptare – mori me shumë më shumë vota nga shqiptarët në vitin 2014, kur BDI thirri për bojkotimin e tij, se sa në vitin 2009 kur BDI bëri thirrje për mbështetjen e tij.

Çdo kush nga shqiptarët mund ta kontestojë legjitimitetin e Ivanovit, përveç BDI-së.