Reagim ndaj të ashtuquajturit Asociacion i Bastoreve “Sportive” ABS

Reagim ndaj të ashtuquajturit Asociacion i Bastoreve “Sportive” ABS

Reagim ndaj të ashtuquajturit Asociacion i Bastoreve “Sportive” ABS

Ndoshta nuk ia vlen të reagohet ndaj intervistës së Vasko Ilijevski, të ashtuquajturit  drejtor i asociacionit te bastoreve “sportive” por i detyrohemi opinionit t’i nxjerrim në shesh argumentet e tija të pabaza.

Ai thotë: “Japim kontribut me 250 milion euro apo 4% në bruto prodhimin vendor”, mirëpo i mjerë është ai shtet i cili ekzistencën e tij e pret nga kontributi i rrjepjes së qytetarëve pasi shteti fuqizohet me prodhim dhe ekonomi të shëndoshë e jo me kumar.

Për sa i përket humbjes së vendeve të punës ai gënjen, apo nuk e di që Lëvizja Anti Bixhoz dhe populli kërkon dislokimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e rinisë dhe shoqërisë nga ky kancer në RVM. Ndaj dhe e pyesim zotërinë: Perse trishtohen prej largimit të tyre nga institucionet me interes publik, objekte banimi, objekte fetare, kopshte fëmijësh, shkolla etj.? Apo ndoshta se klientë të tyre janë pikërisht fëmijët tanë, pasojat e të cilëve i bartin familjet.

Nëse mendon se bastoret janë vende për argëtim, lojë dhe socializim mashtrohet apo mashtron rëndë, pasi ato janë vende kumari ku zhvillohet prostitucioni, kamata, droga, alkooli e shumë veprimtari të pista e jo argëtim dhe pikërisht për këtë shkak rinia e shkatërruar financiarisht dhe pa perspektivë largohet nga ky vend drejtë vendeve tjera të zhvilluara.

Dëshirojmë të pyesim zotërinë: Nga i mori të dhënat se 0.1 deri 0.8% lojërat e fatit janë varësi; pasi siç shihet ai lexon vetëm bilten “sportiv” dhe flet kuturu nga prizmi i interesit personal dhe grupor, ndërsa praktika dhe të dhënat statistikore flasin krejt ndryshe: “nga 65% e divorceve në botë shkaktar kryesor është kumari” (Rehab International) “85% e popullatës në botë ka varësi nga kumari dhe përdorimi i mjeteve narkotike (së paku njëri prej çifteve) dhe përballen me probleme financiare”.

Sipas Rehab International nga një anketë anonime e kryer me 200 viktima të kumarit rezulton se:

66%  kanë tentuar të vetëvriten;

79%  dëshironin të vdisnin;

45%  kanë përpiluar plan të vetëvriten; dhe

16%  kanë mbijetuar nga tentimi për vetëvrasje.

Sa i përket “kontributit” tuaj mund të pajtohemi(!!!), mirëpo ju e plaçkitni popullatën me mashtrime dhe gjoja se ndihmoni, ndërsa sa i përket aksidentit Shkup – Tetove, jemi të bindur se nëse ju keni “kontribuar” ju themi se keni gabuar rënde pasi ato familje nuk kane nevojë për mjete të pista.

Ju e shfrytëzoni gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, por mos harroni se ata ditën të mbijetojnë edhe pa atë “qira” të pistë tuajën e nga ana tjetër i shkatërroni dhe i degjeneroni fëmijët dhe familjet.

Në sjelljen e ligjit nuk jeni faktor ju, por para se gjithash mirëqenia e qytetarëve. Qeveria do t’i mbrojë ata; “do t’i mbroj nga ndjenja e rrejshme e fitimit” dhe ata disa miliona euro do të ngelin në xhepat e tyre e jo në duart e krimit dhe nuk do të hynë në rrugë njëkahëshe të kumarit që rezulton me tragjedi familjare dhe individuale.

Lëvizja Anti Bixhoz 14.03.2019