Real Madrid është dy fitore larg titullit

Real Madrid është dy fitore larg titullit

Real Madrid është dy fitore larg titullit, pas triumfit të së premtes mbrëma, 2-0 ndaj Alaves. Sidoqoftë, kontributi i Gareth Bale në këtë nuk ka qenë mbresëlënës, nëse llogarisim aftësitë e jashtëzakonshme që zotëron. Uellsiani, i cili është ende një futbollist i klasit botëror, ka luajtur 16 ndeshje në La Liga, këtë sezon, duke shënuar vetëm 2 gola.

30-vjeçari ishte në prag të një transferimi në Kinë verën e kaluar, pasi ra dakord për një kontratë rekord me Jiangsu Suning. U krijua përshtypja se Zidane do ta “bekonte” atë transferim. Bordi i Real Madridit e bllokoi marrëveshjen, sepse donin një tarifë transferimi për uellsianin.

Shumë media, përfshirë “The Guardian”, raportuan në atë kohë se marrëdhënia e Bale me Zidane ishte prishur. Në fakt, pak ka ndryshuar në këtë drejtim gjatë 12 muajve të mëpastajmë. Është e qartë që Zidane mezi pret ta heqë qafe Bale, i cili arriti në “Bernabeu” nga Tottenham në vitin 2013. Pamjet e reja të situatës së uellsianit te “Los Blancos” flasin më shumë se gjithçka.

Ato vijnë nga ndeshja e mbrëmshme kundër Alaves, ku Gareth nuk u aktivizua nga trajneri francez, si shumë herë të tjera. Ndërsa skuadra po djersinte në fushë, duke fituar 2-0, mesfushori ofensiv ia fuste gjumit në stolin e rezervave, pa e vrarë fare mendjen se çfarë po ndodhte. Kjo “fotografi”, me siguri do ta bëjë Zidane edhe më të vendosur për ta larguar ish-yllin e Premier League këtë verë.

Në video dhe foto, Bale është fokusuar me maskën në të gjithë fytyrën, përfshirë edhe sytë. Kjo tregon se ka arritur në pikën kur më mirë do të marrë një sy gjumë sesa të shikojë shokët e tij në veprim, në një ndeshje që kishte vlera përcaktuese për titullin. Zidane bëri pesë zëvendësime gjatë lojës, por Bale nuk ishte njëri prej tyre.

Një pamje zbavitëse, por edhe pak e trishtueshme, sepse po flasim për një yll, që paguhet vërtet shumë në Madrid. Një lojtar me talentin e tij duhet të shfrytëzohet nga një klub tjetër i nivelit të lartë europian, duke mos vegjetuar nëpër fusha golfi apo në këtë mënyrë, në stolin e rezervave.